Vazhdon përplasja Rama-Berisha

schedule13:30 - 1 Shkurt, 2019

schedule 13:30 - 1 Shkurt, 2019

Pas përfundimit të seancës parlamentare kanë vazhduar të debatojnë në distancë kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në rrjetet sociale kreu i qeverisë thotë se paraardhësi i tij i ka hyrë në shtëpi me shpifjet e fabrikuara, ndërsa Sali Berisha i përgjigjet nga emisioni “Opinion” se do t’ia kthejë reston sa herë që bën rolin e viktimës.

Nuk iu qetësuan shpirtrat edhe pasi u ndanë nga njëri-tjetri. Në media sociale e televizive bënë deklarata për të shfajësuar veten. I pari ishte kryeministri Edi Rama. Kërkon ndjesë për fjalët e padenja thënë nga foltorja e parlamentit, por nuk bën dot ndryshe kur përballet me Sali Berishën.

“Ndjesë për sekëlldinë që është krijuar sot, por realisht nuk di as sesi përgjigjet dhe as sesi i dilet nga historia. Nuk kam asnjë sekond të ditës sime kur mendoj seriozisht për Saliun. Nuk më hyn gjëkundi në punë dhe ka ikur ka ikur, ka vdekur koha kur më prishte punë ajo kufomë politike që kalbet sot në karrigen e deputetit pa nder dhe pa lavdi. Ja që kur më del në parlament të enjteve dhe ia merr me gjuhë asaj vijës së llumit që i prodhon mllefi i tij i pangushëllueshëm nuk e kam dot gjithnjë të lehtë t’ia le të kalojnë ato qeneverirat ia jashtënxjerr”, u shpreh kryeministri.

Prej afro 20 vitesh e ka ruajtur në sirtar një përgjigje për akuzat ndaj tij si prind, sot ka zgjedhur të mos heshtë.

“Aty shkruhet monstruoziteti i mohimit nga ana ime të atësisë së djalit tim. Ja ky është përhapësi i kësaj gënjehtre të egër haluçinante se unë kam treguar me gisht tim atë si babain e djalit tim. Kurrë s’ka ndodhur një gjë e tillë. Nëna ime ka qenë tërësisht njerëzore dhe që më ka zhvilluar me mirëkuptim të palëve. Mirëpo ky lloj krokodili me dy këmbë dhe gojën e shqyer që mban pas vetes një dynja të tërë njerëzish që i besojnë qorrazi tash 30 vjet. Nuk ngopet dhe nuk ndalet në gjuetinë e tij shtëpi më shtëpi, dhomë më dhomë, djep më djep dhe varr më varr”, tha ai.

E ndërkohë që kryeministri jepte përgjigje në rubrikën e tij në Facebook, Sali Berisha e thotë fjalën e tij me telefon në emisionin Opinion në TV Klan.

“Edhe në parlament edhe tani ai është në një gjendje tmerrësisht të rëndë mendore dhe psiqike. Ai përdori gjuhën e një rrugaçi ordiner për të mbuluar një dështim të tmerrshëm. Zotëri e mbylli parlamentin ditën e enjte dhe unë po të them ai kërkoi takim me të gjitha nivelet. Iu refuzua çdo takim”, tha Berisha.

Beteja e akuzave vazhdoi në distancë.

“E lagu s’e lagu, ky dhe ai ama ende pas 20 vjetësh nuk u kanë thënë shqiptarëve me fakte gënjen ky i përdalë apo gënjej unë për këtë monsytruozitet që mund ta sajojë dhe ta lëvrojë për 20 vjet vetëm një komunist i llojit më të zi se komunistëve të ndershëm, atyre që nuk ndërruan, lëkurë, nuk ndërruan fytyrë, nuk ndërruan gjuhë. Ky u merr vetëm të keqen”, tha Rama.

“S’i përmenda asgjë veçse aksione të ABI Bank. Kurse ai e dëgjuat vetë çfarë fjalësh, natyrisht i ktheva reston me fakte”, u shpreh Berisha.

Pendimi për ç’ka deklaruan publikisht është në ndërgjegjen e tyre, pasi përballë duket se kanë ende çfarë t’i thonë njëri-tjetrit.

“Mos të merrem me të. E di është e thjeshtë kështu kur mendon dhe sa mirë do ishte të mos merresh me të kur ia kthen kurrizit në rrugë dhe ia gjen poshtë krevatit në shtëpi. Kur s’ia hedh sytë në sallë dhe e gjen tek sytë e përlotur të nënës tënde në spital. Kur s’ia fërshëllen kur del përpara dhe ia vlon këngës kur të del nga pas si hienë duke të shqyer rrugët familjarët e tu”, tha Rama.

“Në qoftë se ai përpiqet të bëjë viktimën për krimet që ka kryer vetë, për poshtërsitë që ka kursej, unë mos mendoni që do e kursej. Përkundrazi. Do t’i jap atij atë që meriton”, tha Berisha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!