Vazhdojnë protestat për reformën e pensioneve, Franca në “ankth” për Lojërat Olimpike

schedule15:16 - 14 Mars, 2023

schedule 15:16 - 14 Mars, 2023

Protestat masive, tonelata plehrash dhe Olimpiada e 2024 në sfond. Presidenti francez po përballet më një sërë sfidash, i cili duhet të menaxhojë zemërimin e publikut për rritjen e kufirit të moshës së pensionit, ndërsa vendi i tij do të mbajë një ngjarje të rëndësishme sportive.

Në të njëjtën kohë, francezët po vazhdojnë pandërprerë protestat, mes grevave të vazhdueshme që kanë prekur rafineritë, transportin publik dhe grumbullimin e plehërave.

Ditën e nesërme do të mbahet në Francë një grevë mbarëkombëtare. Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të vendit u ka kërkuar kompanive ajrore të shkurtojnë me 20% fluturimet e tyre të planifikuara më 15 mars nga aeroporti Orly në Paris.

Një koalicion i sindikatave franceze , duke ruajtur një shfaqje të rrallë uniteti që nga fillimi i lëvizjes së protestës në fund të janarit, shpreson të vazhdojë të ushtrojë presion mbi qeverinë për të tërhequr ligjin, masa kryesore e të cilit është një zgjatje dy-vjeçare e moshës së daljes në pension në 64 vjeç.

Ndërkohë, “ethet” e grevës e kanë kthyer “qytetin e dritës”, me 34.5 milionë turistë në vitin 2022, në një vendgrumbullim të madh plehrash.

Në 500 ditë nga dita e sotme, të gjithë sytë do të jenë te ceremonia e hapjes së eventit kryesor sportiv në Paris.

“Nuk duhet të gabojmë, nuk kemi vend për gabime ”, tha ministrja e Sportit, Amelie Oudea Castera.

Lojërat Olimpike të vitit 2024 do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht dhe ato paraolimpike nga 28 gushti deri më 8 shtator.

“Ndërtimi i infrastrukturës duhet të përfundojë në kohë: 89% e projekteve duhet të dorëzohen deri në fund të vitit ,” sipas Shërbimit Olimpik të Dorëzimit të Projekteve (Solideo).

Megjithatë, fakti është se lufta në Ukrainë ka ngadalësuar realizimin e projekteve të infrastrukturës, siç raporton gazeta “Le Monde”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!