Bllokimi total i aktiviteteve nuk e ka ndaluar protestën anti Netanyahu në Izrael. Mijëra izraelitë u mblodhën në Jeruzalem jashtë rezidencës zyrtare të Kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të kërkuar sërish dorëheqjen e tij.
Kauzat kryesore të protestuesve ishin mbyllja e dytë e vendit me një afat tre javor, ku duhen ende dhe dy javë për të përfunduar afati I hyrë në fuqi me 18 Shtator, dhe akuza ndaj Kryeministrit për akte të rënda korrupsioni.
Prej më shumë se tre muajsh, mijëra persona kanë mbushur rrugët e qendrës së Jeruzalemit pranë rezidencës së Netanyahut, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Protestuesit këmbëngulin se Netanyahu nuk duhet të vazhdojë të qëndrojë në detyrë ndërkohë që gjendet I përfshirë në një proces gjyqësor për korrupsion. Protestuesit e akuzojnë Kryeministrin e Izraelit edhe për një menaxhim të keq të krizës së koronavirusit.
Shumë nga protestuesit izraelitë janë të rinj dhe të formuar, të cilët kanë humbur punën për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar prej pandemisë.
Protestuesit, kanë qenë të zhurmshëm, por kanë shfaqur rend dhe gjithashtu respektim të rregullave të distancimit social. Liderët e protestës u kanë bërë thirrje qytetarëve të mbajnë distancën e sigurisë nga njëri-tjetri, ndërsa patrullat e policisë kanë qenë në kontroll të vazhdueshëm të situatës. Megjithatë, nuk kanë munguar disa përleshje mes protestuesve dhe policisë.
Ndërkohë ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen është se disa protestues mbanin të veshur bluza me mbishkrimin “Kryeministri i krimit” si dhe pankarta me shkrimet “Të jesh i sëmurë në demokraci është më mirë se të jesh i shëndetshëm në diktaturë”.
Izraeli që nga fillimi I pandemisë ka regjistruar 227 mijë të infektuar me Covid, dhe 1.441 të vdekur. Aktualisht ka më shumë se 68 mijë raste aktive, mes të cilëve 728 pacientë në gjendje të rëndë. /abcnews.al