Anëtari i Bordit të Turoperatorëve Shqiptare, Besnik Vathi deklaroi në emisionin “Sheshi i Dollarit” se Panairi i Berlinit i sjell shumë favore turizmit shqiptar.
Mirëpo, ai theksoi se Shqipëria duhet të jetë pjesëmarrëse dhe në shumë panaire të tjera, si ai i Londrës që është i dyti më i madh në botë.
Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithshme, Drejtoria e Zhvillimit të Turizmit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro, tha se nga të gjitha analizat që kanë bërë me operatorët, kanë vendosur të fokusoheshim te Panairi i Berlinit, pasi ka një efekt më të madh.
Ajo ka zbuluar se hapësira e marrë këtë vit është 800 metra katror, e gjitha kjo është e mobiluar dhe e ndërtuar në detaje për ta përfaqësuar Shqipërinë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Ajo që dua të theksoj unë, është që nuk është vetëm Panairi i Berlinit, panairi i vetëm në botë që funksionon për funksionimin e Shqipërisë. Nuk është i dyti, apo i madhi Madridi. Nëse ne do të donim të promovoheshim vërtetë, pjesëmarrja në Panairin e Berlinit është e rëndësishme dhe siç thash, i sjellë shumë favore promovimit të Shqipërisë. Por pse duhet lënë pas dore, panairet e tjera? Këtu nuk bëhet fjalë që këtë vit u shpenzuan para, mund të zgjedhësh të marrësh pjesë në panair në këtë formë. Ne nuk marim pjesë në Panairin e Londrës që është i dyti më i madhi në botë. Ne nuk marrim pjesë në panaire rajonale, në Azi apo në vendet e tjera”, u shpreh Vathi.
“Nga të gjitha analizat por dhe operatorët, ne kemi vendosur të fokusoheshim aty ku ka një efekt më të madh. Mbas 2019, 2020, pjesëmarrja nëpër panaire ka kosto shumë të lartë dhe sot mënyra se si ne prezantohemi nuk është me një stend shumë të thjeshtë, por shkojmë në një nivel tjetër të gjithë bashkë. Ndaj hapësira që ne kemi marrë këtë vit është 800 metra katror, e gjitha kjo është e mobiluar dhe e ndërtuar në detaje për ta përfaqësuar Shqipërinë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Duro./abcnews.al

