Vasili në ABC: Që pas denoncimit të Bashës, vdekshmëria nga Covid-19 në vend u rrit me 108%

schedule18:01 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 18:01 - 22 Dhjetor, 2020

Një seri inkoherencash dhe veprimesh të gabuara dhe energji të shpenzuara në disa raste krejtësisht pa vend. Kështu e përshkroi menaxhimin e pandemisë nga qeveria, që nga dita e parë e deri më sot, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili.

Në një bisedë me gazetarin Endri Xhafo në ABC, Vasili tha, duke iu referuar edhe njohurive të tij si specialist i vjetër i shëndetit publik, vendi ynë nuk ka pasur një valë të parë e të dytë, por një ecuri spontane të pandemisë, të dalë jashtë kontrollit.

“Ne si vend, nuk kemi pas asnjë valë, as të parë as të dytë. Ne kemi pasur një ecuri spontane të pandemisë jashtë kontrollit. Piku i parë arriti 28 raste, vala e dytë, 880 raste. Nuk është parë që një valë e dytë të jetë 40 herë më e madhe se e para. Sjellja natyrale e viruseve, ka një dukje të dytë që është më e ulët, drejt shuarjes.”

Një inkoherencë sipas nënkryetarit të LSI është fakti që, sipas tij, vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve nuk ecin në përputhje me situatën epidemiologjike në vend.

“Ekspertët nëpër botë marrin vendime në raport me ecurinë e pandemisë, masat lëshohen apo forcohen. Këtu, sot 389 raste, ke një përgjysmim. Natyrshëm të vjen në mendje që do ketë lehtësim, këtu ndodh e kundërta….Nëse bën një analizë Komiteti, do thoshte shkak kryesor për shtimin e rasteve janë lokalet, pse nuk marrin një masë për këto biznese? Ç’kuptim ka ky lloj kufizimi pas orës 22.00?”

Sipas logjikës të ndjekur nga Vasili, duhet të mbylleshin bizneset që mund të jenë bërë shkak për shtimin e rasteve, dhe jo ato jetësore si marketet apo bizneset e tjera thelbësore.

Inkoherenca e radhës, sipas Petrit Vasilit, është trendi rritës i numrit të viktimave.

“Sot kishim 13 vdekje, por tendenca botërore dhe evropiane tregon se edhe pse ka shtimit të rasteve, raporti me vdekjet është shumë më i ulët se në valën e parë. Këta ekspertë të kësaj qeverie nuk më japin përgjigje. Nuk mban një pandemi inkoherenca të tilla.” 

Problemi i radhës? 

“Jemi një vend që nuk kemi një datë se kur mund ta kemi vaksinën. Kjo bën gjithë sistemin e masave të tjera të intensifikohen.”

Vasili theksoi se duke qenë jo e detyrueshme, mungesa e besimit mund të bëjë që qytetarët ta refuzojnë vaksinën edhe kur të jetë e disponueshme.

“Qeveria të bëjë një negocim me para në dorë, siç i bëjnë ato tenderat sekretë… Kur ka vullnete s’ke nevoje të shkosh në Amerikë të shihesh sy më sy me penelat. Sot, nuk ka asnjë ditë, asnjë afat se kur do ta kemi vaksinën. Në të gjitha rastet, është shumë interesante që qeveria nuk kursen për PPP-të ndërsa paratë mungojnë… Sa më shumë probleme të kesh në sistemin shëndetësor, aq më pak duhet të kursesh për shëndetësinë.”

Duke iu kthyer nivelit të vdekshmërisë, Petrit Vasili tha se që nga 20 nëntori, një ditë pasi Lulzim Basha bëri denoncimin lidhur me “fshehjen” e numrit të viktimave nga Covid-19, vdekshmëria është rritur me 108 për qind.

“Që nga 20 nëntori e deri më sot, rritja e vdekshmërisë është me mbi 108 për qind. Komiteti duhet të dinte të jepte një shpjegim.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!