Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Varianti i ri i koronavirusit, OBSH: Nuk ka vend për alarm

schedule09:06 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 09:06 - 22 Dhjetor, 2020

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se nuk duhej të shqetësohemi për variantin e ri të koronavirusit që është shfaqur në Britaninë e  Madhe, duke thënë se kjo ishte normale në evolucionin e një pandemie.

Sipas Reuters, zyrtarët e OBSH-së madje panë “një dritë pozitive” në zbulimin e llojeve të reja që nxitën një mori vendesh të vendosnin kufizime të udhëtimit në Britani dhe Afrikën e Jugut.

“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Është shumë e rëndësishme të kesh transparencë, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut ashtu siç është, por është gjithashtu e rëndësishme të pranosh që kjo është një pjesë normale e evolucionit të virusit”, ka thënë shefi i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan në një konferencë online.

“Të jesh në gjendje të gjurmosh një virus nga afër shkencërisht, në kohë reale është një zhvillim i vërtetë pozitiv për shëndetin publik global, dhe vendet që bëjnë këtë lloj vëzhgimi duhet të vlerësohen”.

Duke cituar të dhëna nga Britania, zyrtarët e OBSH-së thanë se nuk kishin asnjë provë që varianti i bënte njerëzit më të sëmurë ose ishte më vdekjeprurës sesa llojet ekzistuese të COVID-19, megjithëse duket se përhapet  më lehtë.

Ndërsa për vendet që ndaluan udhëtimet Ryan shtoi: “Kjo është një zgjedhje e matur. Por është gjithashtu e rëndësishme që të gjithë ta pranojnë se ndodhin mutacione të tilla”.

Zyrtarët e OBSH-së kanë deklaruar se vaksinat e zhvilluara për të luftuar COVID-19 duhet të trajtojnë edhe variantet e reja, megjithëse po vazhdojnë kontrollet për të vërtetuar  një gjë të tillë.

OBSH tha se pret të ketë më shumë detaje brenda disa ditëve ose javëve mbi ndikimin e mundshëm të llojit të ri të koronavirusit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!