Më 26 nëntor Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi si shqetësues variantin e ri të koronavirusit të emëruar “Omicron”. Menjëherë pas njoftimit të OBSH, shtetet anëtare të BE-së morën vendimin për të ndaluar fluturimet nga Afrika e Jugut ku edhe besohet se janë konfirmuar rastet e para me këtë version të koronavirusit.
Drejtori i zhvillimit të vaksinave pranë “Geovax” Arben Domi, në një lidhje direkte me “Abc Live” nga Juli Xhokaxhi u shpreh se për momentin jemi në fazën e hipotezave dhe këto masa që po merren janë thjesht parandaluese.
Domi shpjegoi se është e vërtetë që ky lloj i virusit ka një numër të madh mutacionesh, dhe kjo sipas tij, mund të jetë një lajm i mirë ose i keq.
“Për momentin jemi në fazën e hipotezave, bazuar në numrin e mutacioneve ka rreth 30 mutacione në zonën e spike-ut e cila është përgjegjëse për ta njohur nga antikorpet e prodhuar nga vaksinat. Dhe rreth 20 mutacione, një pjesë e të cilave lidhen me zonën e spike, që lidhen direkt me njohjen nga rusi të qelizave të njeriut. Për momentin nuk ka të dhëna të sakta, dhe të gjitha masat që janë marrë mund të duken të ekzagjëruara, por për mendimin tim janë thjesht parandaluese për një mundësi në të ardhmen, sepse do të duhen edhe dy tre javë për të pasur shkallën e rëndësisë të këtij varianti. Për mendimin tim ky variant mund të jetë shqetësues, por deri më tani duhet të jemi të kujdesshëm dhe jo në alarm.”
Duke u kthyer tek mutacionet, Arben Domi thotë se beson se mund të ndikojnë tek efektiviteti i vaksinave, por shtoi po ashtu se mund të bëhen shkak që virusi të ngadalësohet.
“Ka një numër jo normal të mutacioneve. Por në njërën anë besoj se do të ketë ndikim në njohjen e vaksinave pasi shumica prej tyre ndodhen në një zonë ku shumica e cila njihet nga antitrupat e vaksinës. Nga ana tjetër, numri i madh i mutacioneve mund të prekë ciklin e zhvillimit të virusit që mund ta ngadalësojë ose dobësojë. Por mos të spekulojmë, të presim të dhënat.”
Deri më tani, varianti mbizotërues është ai Delta, dhe nëse ky lloj i ri nuk arrin që të jetë më dominant se Delta, me shumë mundësi do të zhduket ose do të jetë në sasi të papërfillshme.
Por përse pikërisht në Afrikën e Jugut?
Drejtori i zhvillimit të vaksinave pranë “Geovax” thotë se lajmi i mirë është që variantet e reja nuk dalin në vende ku normat e vaksinimit janë të larta, pasi kjo do të lexohej si një përgjigje e virusit për t’i shmangur.
“Mund të jetë rastësore. Por nëse do të ndodhte në një vend ku numri i vaksinimeve është i lartë mund të merrej si një lloj përgjigje të virusit ndaj vaksinave. Por në Afrikën e Jugut një element i tillë nuk ekziston… Nuk mendoj se është një reagim i virusit për t’i shpëtuar vaksinimit.”
Po ashtu, mjeku parashikon që këtë dimër të kemi një rritje të numrave si tek infektimet ashtu edhe tek shtrimet në spitale.
“Dhjetori dhe janari do të ketë një rritje të konsiderueshme të të infektuarve, dhe të të shtruarve në spitale mbi 60 vjeç, pavarësisht nëse janë të vaksinuar apo jo.” /abcnews.al/