Varësia nga Kina më pak se sa mendohej?

schedule09:34 - 27 Janar, 2023

schedule 09:34 - 27 Janar, 2023

Ndërsa korporatat e mëdha gjermane si Volkswagen ose BASF edhe tani janë shumë të varura nga biznesi i tyre në Kinë, ose duan ta zgjerojnë biznesin e tyre edhe më shumë në këtë vend, gjërat mund të jenë krejtësisht të ndryshme për kompanitë e tjera. Edhe kur shikojmë sektorë të ndryshëm, ka dallime të mëdha kur bëhet fjalë për varësinë nga Republika Popullore e Kinës. Ky është rezultati i një studimi të fundit nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW).

Në “studimin e tyre empirik”, ekonomistët e Këlnit kanë ekzaminuar “varësinë e degëve të industrisë nga Kina”. Pikëpamja e varësisë nga Kina është formësuar në perceptimin publik mbi të gjitha nga situata e kompanive. Në rastin e kompanive kimike si Covestro, Kina zë një pjesë veçanërisht të madhe të shitjeve me rreth 20 për qind. Ndërsa për prodhuesit e makinave si Volkswagen, Kina zë më shumë se një të tretën e biznesit. Vlera është edhe më e lartë për kompaninë teknologjike Aixtron, me seli në Aachen, e cila më shumë se gjysmën e shitjeve i bën në Tajvan dhe Kinë.

Por kur shikohet industria gjermane në tërësi, varësia nga Kina është shumë më e ulët sesa është menduar, kanë llogaritur ekonomistët e Këlnit. Vetëm rreth 6.6 për qind e të gjitha prodhimeve të parapërgatitura kanë ardhur nga Kina në vitin 2020 për industrinë. Ndërsa nëse shikohen të gjitha prodhimet e përgatitura në Kinë për ekonominë gjermane, varësia nga Kina është vetëm 2.2 për qind.

Japonia dhe SHBA varen më shumë

Industria e Japonisë, nga ana tjetër, është shumë më e varur nga Kina sesa ajo e Gjermanisë, sepse kjo ekonomi varet pothuajse me 20 për qind nga Kina. Pasojnë Rusia (16.5 për qind), SHBA (13.9 për qind) dhe Republika Çeke (11.8 për qind).

“Në përgjithësi, Kina është e rëndësishme si furnizuese dhe blerëse e shërbimeve paraprake për industrinë gjermane, por jo në një masë dërrmuese”, është konstatimi i befasishëm i ekonomistëve.

Por shembulli i furnizuesit të çipave Aixtron, tregon se varësia nga Kina në industrinë e elektronikës është veçanërisht e lartë. Varësisht nga kompania, Kina është vendimtare për biznesin e përgjithshëm, si furnizuese apo blerëse e produkteve. Në vitet para pandemisë, grupi gjerman i gjysmëpërçuesve Infineon rriti pjesën e tij të shitjeve në Republikën Popullore dhe Tajvan në pothuajse 40 për qind. Por pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimeve të vazhdueshme ushtarake të Pekinit kundër Tajvanit, edhe këtu ka ndodhur një rishikim dhe industria gjermane po fokusohet në tregje të tjera.

Varësia nga bateritë dhe tokat e rralla

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, ka frikë se pas largimit nga lëndët e para ruse, Evropa mund të bëhet e varur nga resurse dhe vende të tjera. “Ishte politika e gabuar energjetike të mbështetesh vetëm te një vend për një kohë kaq të gjatë kur bëhej fjalë për një burim energjie të rëndësishëm strategjik si gazi,” tha ai, duke iu referuar Rusisë. “Nëse shikojmë tani energjitë e rinovueshme, shohim një pamje të ngjashme”: rreth 70 për qind e të gjitha baterive të makinave elektrike prodhohen në Kinë. Eksperti i energjisë tha për Handelsblatt se Evropa duhet të gjejë furnizues të tjerë dhe të futet vetë në prodhimin e mineraleve kritike.

Edhe tek metalet e rralla Gjermania është jashtëzakonisht e varur nga Kina. Dy të tretat e këtyre metaleve të lakmuara kanë ardhur së fundmi nga Kina. “Për disa nga mineralet e rralla, përqindja e importeve nga Lindja e Largët ishte dukshëm më e lartë,” thuhet në raportin e Zyrës Federale të Statistikave. 94.4 për qind e metaleve skadium dhe ittrium u importuan nga Kina. Edhe në këto çështje kërkojnë riorientim./DW