Vangjel Tavo, në garë për Bashkinë Himarë? Si përgjigjet Blendi Klosi

schedule17:51 - 29 Mars, 2024

schedule 17:51 - 29 Mars, 2024

HIMARË- Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, gjatë një interviste për News Line në ABC News u pyet nëse Partia Socialiste ka në llogaritë e saj një kandidim të mundshëm të Vangjel Tavos për Bashkinë e Himarës.

Ai tha se PS-ja aktualisht po pret procesin gjyqësor të Fredi Belerit dhe më pas do të nisë të bëjë llogaritë e saj për zgjedhjen e një emri, i cili do kandidojë në këtë bashki, gjithmonë në rast se do ketë zgjedhje të parakohshme.

Ai theksoi se Vangjel Tavo është një prej emrave, i cili ka kontribuuar në forcimin e marrëdhënieve mes Athinës dhe Tiranës zyrtare, ndërsa shtoi se beson se edhe në kushtet aktuale, emri i tij do të shërbejë si një urë për marrëdhënie të mira me shtetin fqinj.

“Vangjel Tavo prej pak kohësh është prefekt i qarkut të Vlorës dhe mendoj se komunitetit i këtij qarku, i cili është shumë kompleks dhe me grupime të caktuara, e kanë pranuar me shumë vëmendje emërimin e tij si prefekt. Sa i takon votimeve në Himarë, e kemi shprehur qartë dhe ne do presim përfundimin e gjykimit të z. Beleri dhe pastaj do të shqyrtojmë. Nuk më takon të jap asnjë prononcim, pasi procesi është qetësisht në një fazë tjetër. Bashkë me Vangjel Tavon po takojmë të gjithë strukturat.  Nuk di të them, sepse situata nga Shqipëria është shumë e qetë. Vangjel Tavo ka qenë një urë shumë emirë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe në karrierën e tij politike, është një nga urat më të mira mes Tiranës dhe Athinës. Tavo mendoj do të shërbejë pozitivisht edhe në momentin në të cilin ndodhemi”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!