Mbajnë radhën për një vizitë me mjekun. Vetëm në tre orë numri i prindërve që prisnin për një konsultë me pediatrin në urgjencën e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë i kaloi 100.
Të vegjlit, tregojnë prindërit, kryesisht ankohen për temperaturë, diarre, të vjella e dhembje barku.
Rreth 70% e të vegjëlve që kërkojnë ndihmën e mjekut në urgjencën e Pediatrisë sipas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik shfaqin probleme të shkaktuara nga Rotavirusi. Për të shmangur komplikimet dhe shtrimin në spital shumë prindër detyroheshin ti vaksinonin fëmijët privatisht.
Nga 1 tetori vaksina e Rotavirusit është përfshirë në kalendarin e vaksinimit dhe do të sigurohet pa pagesë nga shteti. Vaksina merret nga goja dhe aplikohet ne tre doza kur fëmija mbush dy, katër dhe gjashtë muaj.
Një fëmijë mund ta marrë rotavirusin aksidentalisht nga një fëmijë tjetër, por dhe nga duart e palara, ushqimi dhe lëngjet e kontaminuara./ABC News Albania 24/7