Vaksinë apo vodka? Rusët mund të zgjedhin se kë të marrin

schedule11:40 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 11:40 - 11 Dhjetor, 2020

Vaksinimi kundër Covid ka nisur prej ditësh në Rusi, është falas dhe me dëshirë. Por entuziazmi i rusëve për të marrë vaksinën u zbeh në momentin që autoritetet shëndetësore kërkuan që të vaksinuarit të mos konsumonin alkool për dy muaj, raporton euronews

Rusët janë krenarë se janë ndër të parët që kanë nisur një fushatë të gjerë vaksinimi kundër Covid-19. Por ata janë më pak entuziastë me faktin se pas marrjes së vaksinës nuk do të kenë mundësi të konsumojnë alkool për rreth 2 muaj.

Autoritetet ruse të shëndetësisë u shprehën se Vaksina Sputnik V – e cila ndahet në dy doza, nuk është efikase nëse konsumohet alkool.

Ata fillimisht theksuan se njerëzit që merrnin vaksinën për Covid nuk duhet të pinë alkool për 42 ditë, duke e çuar më pas në 56 ditë, pasi dy javët e para janë ato që i shërbejnë vaksinës për të përgatitur trupin, transmeton abcnews.al

Por kjo është një kërkesë shumë e vështirë në sezonin e festave kur shampanja dhe vodka konsumohen më së shumti në Rusi. Gjithashtu përplaset dhe me atë që shumë rusë besojnë, si është konfirmuar dhe nga shumë sondazhe. Rusët janë të bindur se konsumi i alkoolit në përgjithësi, dhe vodkës në veçanti, përforcon sistemin imunitar.

Fushata e vaksinimit nisi në Moskë të shtunën e kaluar dhe është përhapur në të gjithë vendin gjatë javës. Marrja e saj është falas dhe me dëshirë, por një pjesë e mirë e njerëzve kanë reaguar për sa i përket kushtit për të mos konsumuar alkool.

Disa prej tyre madje e konsiderojnë të pamundur zbatimin e këtij kushti duke thënë se të vetmit që do e marrin vaksinën janë fëmijët dhe të moshuarit, të cilët nuk është se nuk pinë, por pinë më pak. Nëpër rrjetet sociale shkruhet se më pak se gjysma e vendit do të vaksinohet.

Por jo të gjithë specialistët janë dakord me udhëzimet e qeverisë. Ata thonë që dehja nuk është e mirë në asnjë situatë, por një gotë shampanjë nuk bënte dëm, kurse një gotë vodka po.

Pija vendase ka një përqendrim alkooli prej 40 përqind krahasuar me shampanjën 12 për qind./abcnews.al