Vaksina, Rama nga Kuvendi: Kur të bëj dozën e dytë do t’ju vërtetoj që nuk mora ujë fiziologjik

schedule18:29 - 18 Janar, 2021

schedule 18:29 - 18 Janar, 2021

Kryeministri Edi Rama ka treguar pasditen e së hënës nga foltorja e Kuvendit, se si do të sigurohen skeptikët që ai ka marrë vaksinën e Pfizer, dhe jo ujë fiziologjik.

Rama u shpreh se kur pjesa e individëve të vaksinuar, përfshirë këtu edhe vetë atë, të kthehen për të marrë dozën e dytë, kushdo që të jetë i gatshëm do t’i nënshtrohet një testi për prani antitrupash.

“Kur pjesa që ka bërë vaksinën, do duhet të rikthehet për të marrë dozën tjetër, cilido që është i gatshëm, do të bëjë një transparencë për antitrupat. Për të parë që realisht vaksina është marrë. Dhe ka bërë gjithë efektin e parashikuar. Është përhapur ideja se unë jam injektuar me ujë fiziologjik, ky është një nivel analize shumë i lartë, sidoqoftë, është oportune që t’u jepet mundësia atyre që të ndihen të garantuar nga fakti…”

Po ashtu, kreu i qeverisë është shprehur se me rritjen e numrit të personave të vaksinuar, mund të shihet me optimizëm gjashtëmujori i dytë i këtij viti që sapo ka nisur.

“Vaksinimi ka dy efekte, një drejt te ai që vaksinohet, e dyta këputja sistematike e infektimit. Sipas studimeve të bëra, rritja e përqindjes së individëve të vaksinuar, sjell një ulje të vazhdueshme, thuajse simetrike të të prekurve…Një numër të shumëzuar për dy, shpesh për tre. Kjo na jep mundësi që ta shohim me optimizëm gjashtë mujorin e dytë të këtij viti. Momentin që kompania do të bëjë furnizimin e parë, 10,700 në do ndjekim të njëjtin proces si në vendet e tjera, për të hequr çdo sëkëlldi të krijuar…”

Rama vijoi gjithashtu edhe me kritikat e tij nga BE, dhe mënyrës sesi po trajtohet procesi i shpërndarjes së vaksinave.

“BE, nuk pa përtej kufirit të vetvetes. E la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajon në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale. Kjo ka bërë që sot, veç Shqipërisë dhe Serbisë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka filluar me vaksinimin. Akoma nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX. Flitet se do nisë së shpejti, por nuk dihet kur.”

Rama tregoi po ashtu, planet e hartuara për procesin e vaksinimit nga qeveria, ndërsa theksoi se synohet që të realizohet ai më ambiciozi që do të shtrihej në 14 muaj.

“Kemi nevojë që të garantojmë të gjitha sasitë, për klanin kombëtar. Vaksinimi i gjithë kategorive dhe moshave në 14 muaj. Skenari i mesëm, në 18 muaj. Skenari i tretë, 24 muaj. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit të parë. Me votimin sot, hapet rruga për të marrë sipas marrëveshjes në parim, mund të porosisim sasi të tjera edhe drejtpërdrejt nga Pfizer. E kemi garantuar me marrëveshjen e firmosur nga të dyja palët. Dua ta nënvizoj që, Pfizer bëri një deklarim publik që ka krijuar pakënaqësi, për shtyrjen me një javë të gjitha angazhimet e veta, në raport me vendet ku është angazhuar. Për të rritur prodhimin, duke bërë një frenim të përkohshëm për arsye logjistike.” s.b/abcnews.al/