Parashikimet e Presidentit Trump për një vaksinë kundër koronavirusit para zgjedhjeve të 3 nëntorit, nuk do të përmbushen.
Gjigandi farmaceutik Pfizer njoftoi se nuk do të kërkojë autorizim emergjent për nxjerrjen e vaksinës së saj kundër koronavirusit deri në fund të nëntorit.
Dy kompani të tjera kryesore janë në pritje. Një kompani e katërt, nuk ka gjasa të ketë rezultat deri në fund të vitit.
Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se një vaksinë do të ishte në dispozicion para zgjedhjeve, si pjesë e operacionit nga administrata e tij “Operation Warp Speed”, e krijuar për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinës.
Shkencëtarë brenda dhe jashtë qeverisë kanë deklaruar prej kohësh se afati kohor nuk është realist. Duke pranuar situatën në fillim të muajit, Presidenti Trump fajësoi politikën pa dhënë shpjegime.
Në një deklaratë, shefi i kompanisë Pfizer Albert Bourla tha se deri nga fundi i tetorit do të dihet nëse vaksina funksionon. Por nuk do të kalojë provat e sigurisë deri në fund të nëntorit.
“Siguria është dhe do të mbetet përparësia jonë kryesore,”tha Bourla.
Para shqyrtimit për autorizim emergjent nga Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, kompania duhet të vëzhgojë të paktën gjysmën e pacientëve për dy muaj pas marrjes së dozës së fundit për të parë efektet anësore.
Ndërkohë, dy prova të tjera të vaksinave janë pezulluar si rezultat i disa shqetësimeve lidhur me sigurinë e tyre. Kompania AstraZeneca tha se ndaloi përkohësisht provat e saj pasi të paktën një pjesëmarrës rezultoi me një sëmundje të pashpjegueshme.
Prova ka rifilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë në pritje.
Një tjetër vaksinë që po përdor një qasje të ngjashme, nga kompania farmaceutike Johnson & Johnson, po ashtu është ndeshur me një pengesë sigurie, megjithëse problemet e saj mund të mos jenë të lidhura me vaksinën. Kompania njoftoi për një sëmundje të pashpjegueshme në një prej pjesëtarëve të provës javën e kaluar.
Kompanitë farmaceutike po ndërmarrin hapa për rritjen e prodhimit të vaksinës para daljes së rezultateve.
Megjithatë nuk do të ketë vaksina të mjaftueshme menjëherë për të gjithë. Agjencitë qeveritare po hartojnë plane se kush mund ta marrë vaksinën i pari. Punonjësit e kujdesit shëndetësor, të reagimit të shpejtë dhe popullatat më të rrezikuara si dhe të moshuarit, ka gjasa të jenë të parët në radhë.
Shefi i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Robert Redfied i tha Kongresit muajin e kaluar se mund të duhet kohë deri nga mesi i vitit të ardhshëm që shumica e amerikanëve të vaksinohet./abcnews.al

