Për herë të parë, një nga personat e prekur nga koronavirusi në Shqipëri ka dalë hapur, me zë dhe figurë, për të treguar eksperiencën e saj dhe për të dhënë disa mesazhe.
Me anë të një video-mesazhi, vajza e cila e pranon që ka rezultuar pozitive me Covid-19, gjatë fjalës së saj, ndër të tjera mundohet të sensibilizojë qytetarët që mos ta marrin si një shaka.
Vajza në video thotë që njerëzit nuk duhet të “ankohen për pasojat psikologjike që mund të sjellë mbyllja në shtëpi, por ta marrin situatën seriozisht dhe të imagjinojnë se çfarë do të thotë të të marrin një pjesëtar të familjes me ambulancë dhe të komunikosh vetëm me telefon si dhe të të trajtojnë, sipas saj, si një mbetje kimike.
E reja në video tregon se është e infektuara e 69-të me koronavirus në Shqipëri dhe tregon se një nga familjarët e saj është dërguar në spital.
Videon e ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook edhe kryeministri Rama.
Bashkë me videon, ai shkruan:
Ti zemër do ia dalësh padiskutim dhe unë jam me ty, të gjithë ne jemi me ty, deri kur të shërohesh plotësisht!
Por ti meriton edhe një falenderim të megjithëzemërt, për fjalët e thjeshta, të vërteta, të ndjera, që ke ndarë me të gjithë ne, sot kur të gjithë kanë nevojë të dëgjojnë dhe disa prej nesh, kanë akoma nevojë të kuptojnë që jemi në një luftë botërore për jetën, jo në një lojë kukamçefthi, ku kemi të drejtën të mërzitemi e të ankohemi pse po e kufizojmë skajshmërisht lirinë tonë!
Ti nuk ke nevojë për kurajo, sepse dalja jote publikisht tregon se kurajon e ke të jashtëzakonshme, kështu që unë nuk mund të të jap kurajo ty, po dua të të falenderoj për kurajon që ti më dhe mua me fuqinë magnetike të brishtësisë tënde?
Përqafime nga larg dhe me patjetër do të takohemi kur të mbarojë lufta❤
Edi
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/521876838523676/


