Vajza e regjisorit të njohur shqiptar, Viktor Gjika, Ester Gjika ka treguar se përmes librit “Film pas filmi, unë ‘E BIJA E’”, ka përmbushur dëshirën e fundit të atit. E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ajo ka zbuluar se me këtë botim ka rrëfyer të gjithë kujtimet familjare, duke cituar edhe fjalët e të atit.
Sakaq, Esteri ka thënë se për gati 5 vite nuk ka parë asnjë film të babait, pasi ndjente shumë dhimbje.
“’Kujtimet e këtij konteksti familjar do t’i shkruar ti. E vetmja gjë që të kërkon babi me ngul, është kjo. Do jesh shumë e sinqertë, do thuash të vërtetën, pa asnjë zbukurim, pa lulka siç thoshte ai si korçar, të vërtetën si ka ndodhur, si je ndjerë ti me një baba që shumicën e vitit, i cili shumicën e kohës që nuk ishte në shtëpi dhe ishte në shesh-xhirime, ndjesitë e tua pa filtra me të mirat dhe me të metat, me anët negative, me anët pozitive. Do thuash me sinqeritet atë që ka ndodhur vërtetë’, më tha babai. Ky episod që tregova ka ndodhur në shkurt të 2009/ unë për vite të tëra nuk kam mundur të shikoj dot filmat e tim ati, aq dhimbje kisha. Nuk arrija dot që t’i shikoja, sepse vetëm mallëngjehesha dhe vetëm thosha nuk është e mundur që ai nuk është më. Nuk është e mundur sepse ai kishte akoma kohë për të prodhuar kryevepra të tjera. Do t’i linte publikut kryevepra dhe filma që do të hynin edhe më tepër në thesarin e kinematografisë shqiptare. Edhe unë këtë porosi të tim eti, por më tepër ishte dëshirë, unë e mora si amanet, por ishte thjesht një dëshirë e tij, por fillova ta përpunoj pas shumë vitesh brenda meje.
Për rreth 4-5 vjet nuk pashë asnjë film të babait tim. E kisha të pamundur. Kisha një ndjenjë refuzimi. Nuk arrija dot dmth, ktheja kokën nga ana tjetër. Edhe mbas këtyre 4 viteve, kur arrita ta përpunoja këtë sekuencë”, u shpreh ajo./abcnews.al