“Unë quhem Vaçe Zela” është libri që rrëfen jetën e këngëtares së mirënjohur shqiptare.
Autorja e këtij botimi, etnomuzikologia Mikaela Minga ka treguar gjithçka se si diva e skenës ka ardhur nga Lushnja me një valixhe prej druri, konkuroi në Liceun Artistik dhe nuk fitoi, deri kulmi i shkëlqimit të saj në Festivalin e parë të Këngës.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, Minga ka ndaluar më thellësisht në këto detaje, duke theksuar ndër të tjera se Liceu nuk e kishte mundësinë të shkollonte Vaçen me tipin mbresëlënës të vokalit që kishte.
“Pavarësisht se ajo nuk fitoi në Lice dhe efektivisht Liceu nuk e kishte mundësinë që ta shkollonte për tipin e vokalit që ajo kishte. Ajo nuk reshti, nuk hoqi dorë dhe vazhdoi për rrugën e saj. Ç’ka tregon se edhe vetë ata fëmijët që dëshirojnë të bëhet diçka, nuk duhet të heqin dorë nga pengesat, për mendimin tim. Ëndrra duhet të ndiqet.
Ajo ka studiuar për aktrim, më pas në Ansamblin e Ushtrisë, në Estradën e Shtetit dhe në fund në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Shkëlqimin ajo e pati në Festivalin e parë të Këngës, aty fillon padyshim e gjitha ngjitja në karrierën e saj”, u shpreh ajo./abcnews.al