Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) po ndërtojnë një vendkalim të ri tokësor nga Izraeli në veri të Gazës, sipas një deklarate të lëshuar të enjten.
Ushtria izraelite tha se kalimi i ri verior “do të mundësojë që më shumë ndihma të rrjedhë drejtpërdrejt për civilët në zonat që kanë qenë sfiduese për aksesin e kamionëve”, shkruan CNN.
Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera humanitare kanë raportuar një situatë katastrofike humanitare në veri të Gazës, ku kërcënimi i urisë është i pashmangshëm për shkak të mungesës së dërgesave të ndihmave.
Raporti për një kalim të ri vjen pasi ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha të mërkurën vonë se Izraeli po planifikonte të “përmbyste Gazën me ndihma”, mes presionit të intensifikuar nga Shtetet e Bashkuara për të rritur urgjentisht ndihmën humanitare për Rripin e Gazës.
COGAT, agjencia izraelite që koordinon inspektimin dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare për Gazën, tha se numri ditor i kamionëve që hyjnë në Gaza është dyfishuar nga numri i javës së kaluar, por UNRWA, agjencia e OKB-së për çështjet palestineze që ndjek rrjedhën e ndihmave në Gaza. nuk ka raportuar një rritje të ngjashme./abcnews.al