Ushtria e Kosovës është një hap larg krijimit, kjo pas miratimit të projektligjeve të transformimit të forcave të sigurisë, nga komisioni i sigurisë në vend. E vetmja që ka votuar kundër ka qenë Lista Serbe
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mbledhjen e rradhës diskutoi tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Kjo bën që krijimi u ushtrisë së Kosovës të jetë vetëm një hap larg.
Kryetari i këtij Komisioni, Haxhi Shala, propozi që tri projektligjet të votohen në pako, meqenëse janë për të njëjtën çështje, dhe më pas t’i dërgohen Kuvendit në seancën e radhës për miratim.
Anëtari i këtij Komisioni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri, tha se këto tri projektligje janë të rëndësishme. Ai theksoi se partia e tij I mbështet dhe shpreson që të të marrin përkrahjen edhe të atyre që e kanë ndihmuar Kosovën, si NATO e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin pro këtyre tri projektligjeve.
Edhe anëtarja e PSD-së në këtë Komision, Aida Dërguti, theksoi se partia e saj është pro miratimit të këtyre projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri.
Forca e Sigurisë së Kosovës, me legjislacionin e ri, do të marrë rolin e ruajtjes së integritetit territorial të vendit, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës. Ndërsa lista serbe ka qenë e vetmja që ëshët shprehur kundër. /abcnews.al