“Ushqimi është vetë stina”, nutricionistja: Hani sa më shumë fruta dhe perime gjatë verës

schedule12:33 - 29 Maj, 2023

schedule 12:33 - 29 Maj, 2023

Nutricionistja, Enkeleida Ferrollari ka dhënë disa këshilla të rëndësishme për të gjithë, me ardhjen e stinës së verës. E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo ka deklaruar se me ngritjen e temperaturave, trupi ka nevojë për më shumë dehidratim dhe më pak ushqim.

Ferrollari ka theksuar se aktualisht jemi në një stinë ku frutat dhe perimet janë me bollëk, prandaj në të mirë të organizmit tonë duhet t’i konsumojmë sa më shumë.

“Janë stinët e ngrohta tani të vitit që janë të pasura me fruta dhe zarzavate. Pranvera çel, zgjohet çdo gjë, të gjitha zarzavatet fillojnë, çelin lulet. Është e pasur me të gjelbërta. Edhe është stina më e mirë, jo vetëm në shije, por dhe për shëndetin. Duhet të orientohemi gjithmonë te ajo që ne themi: ‘Të ham frutat dhe zarzavatet e stinës’. Ushqimi është vetë stina.

Nevojat tona gjatë verës janë më të ulta për ushqim sesa gjatë dimrit, pasi gjatë verës kemi më shumë nevojë për dehidratim. Kemi nevojë për shumë zarzavate dhe fruta pikërisht për efektin e tyre antioksidues. Përveç të tjerash, kemi dhe rrezatimet diellore që krijojnë probleme me lëkurën, kështu që një ushqim i mirë ndihmon dhe për parandalimin e problemeve të lëkurës nga rrezatimi diellor. Prandaj dhe natyra është në harmoni me stinën”, tha ajo./abcnews.al