Urtikaria është një sëmundje e zakonshme e lëkurës që mund të prekë njerëz të të gjitha moshave. Urtikaria shoqërohet me puçrra të kuqe, të fryra që shfaqen mbi lëkurë në trup. Dr. Shk. Alketa Bakiri, alergologe pranë Spitalin Amerikan 3, ishte e ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, ku shpjegoi shkaktarët dhe trajtimin.
Dr. Alketa tha se urtikaria shfaqet në dy forma, akute dhe kronike. Sëmundja quhet akute kur shfaqja e simptomave nuk zgjat më shumë se 6 javë dhe kronike kur zgjat më shumë se 6 javë. Urtikaria akute shkaktohet më shpesh nga një reaksione alergjike por mund të shkaktohet dhe nga një medikament.
“Ka një sërë shkaktaresh, janë shumë të gjerë sa dhe mjeku gjendet dhe përballë sfidës për të përcaktuar kur bëhen kronike. Kur zgjat për disa ditë, janë të nxitura nga një faktor, nga rënia në kontakt me barishten, qenin, macen, latex-in, tullumbace por shkaktohen dhe nga infeksionet.
Shfaqen dhe kur merr një medikament ose shfaqen kur janë të nxitura nga faktorë të ndryshëm fizikë, nga i nxehti, djersitja.” , shpjegoi mjekja. Kjo gjendje prek shumë dhe gratë shtatzëna, të cilat shpesh shqetësohen nëse vihet në rrezik jeta e fëmijës. Por Dr. Alketa thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
“Shumë herë vijnë gra shtatzëna kryesisht gjatë trimestrit të tretë. Janë të shqetësuara nëse është në rrezik jeta e fëmijës. Kjo mund të shkaktohet nga presioni fizik në lëkurë me rritjen e fëmijës por dhe me ndryshimet hormonale. Fëmija është i shëndetshëm por duhen bërë ekzaminime që ndiqen gjatë shtatzënisë.
Që të sigurohemi se nuk ka çrregullime të organeve të tjera, të jemi të sigurt nëse nëna dhe fëmija janë mirë. Mund të kalohet me banja apo me kremra hidratues.” Dr. Bakiri vuri theksin te ndjekja e një regjimi ushqimor të shëndetshëm dhe shmangia e ushqimeve të paketuara.
Ajo tha se ushqimet që shkaktojnë shpesh urtikarie te fëmijët janë qumështi, veza, kikirikët ndërsa te të rriturit janë frutat e detit dhe frutat e thata. /abcnews.al