Ursula Von Der Leyen, presidentja e parë femër e KE

schedule21:59 - 20 Korrik, 2019

schedule 21:59 - 20 Korrik, 2019

Ursula von der Lejen është presidentja e re e Komisionit Europian, pasardhësja e Zhan Klod Junker. Ajo është gruaja e parë në historinë e Gjermanisë që ka mbajtur postin e ministres së mbrojtjes.

Në fund ia doli Ursula von der Lejen, me parlamentin e drejtuar nga italiani David Sassoli i cili e zgjodhi zyrtarisht presidenten e re të komisionit europian duke marrë vendin e Zhan Klod Junker.

Pasi emri i saj u propozua nga këshilli evropian, në përfundim të mbledhjeve të panumërta dhe marrëveshjeve që nuk u mbyllën dot, në fund gjermania arriti të merrte dritën jeshile me mazhorancë absolute.

Me 383 vota pro, u tejkalua pragu prej 374, që duheshin, Von der Lejen ia doli  të merrte mazhorancën e saj, e cila në fillim dukej e pamundur me një pjesë të socialistëve, të cilët ishin të pakënaqur nga kandidatët e vendosur nga Këshilli, vendosi të mos votojë pro.

Presidentja e re e komisionit evropian është femra e parë në historinë e Gjermanisë që mbajti postin e ministres së mbrojtjes.

Profesioni i saj është mjeke, dhe pse shënon një rekord tjetër. Është e vetmja ministre që ka mbetur e tillë nën qeveritë e Anxhela Merkel që kur ka m orë postin në vitin 2005. Ajo ka qenë ministër për çështjet e familjes dhe të rinisë në periudhën 2005 – 2009 dhe ministër i punës dhe çështjeve sociale nga viti 2009 – 2013 para se të bëhej ministre e mbrojtjes në vitin 2013.

E martuar në vitin 1986 ajo ka shtatë fëmijë, nga të cilët më i vogli është aktualisht 20 vjeç.

Si ministre për familjen ajo rriti financimet për programit për fëmijët duke shtuar polemikat në krahun më konservator të partisë së saj. Ndërsa si ministre e punës ajo monitoroi përforcimin e programit të reformës së epokës së Shrëder.

Por sfida më e madhe ishte roli i ministres së mbrojtjes: riorganizimi dhe rindërtimi i ushtrisë pas vitesh investimesh të pakta dhe mos qartësisë për rolin e saj në atdhe dhe jashtë. Një detyrë komplekse, shpesh mosmirënjohëse, dhe për shkak të përshkallëzimit të presioneve ndaj Gjermanisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që vendi të rrisë shpenzimet ushtarake në linjë me NATO.

Ajo ka marrë disa vendime që i kanë dhënë respektin nga rangje të ndryshme, si për shembull: blerja e droneve pa pilotë, dorëzimi i armëve mbështetëse militantëve që luftojnë kundër ISIS, rritja e sigurisë informatike në ushtri dhe në marinë. Aktualisht në vitin e saj të gjashtë si ministre e mbrojtjes ajo është gjithnjë e më pak popullore për shkak të një serie shpenzimesh të tepërta për avionë ushtarakë dhe për këshilltarë të jashtëm.

Ajo nuk ka qenë asnjëherë një aleate e ngushtë politike e Merkel, Ursula von der Lejen zakonisht konsiderohej një kancelare e mundshme rezervë.

E lindur në Bruksel ku babai I saj Ernst Albrecht punonte si një nga funksionarët e parë të institucionit, në vitin 1958, në komisionin evropian. Fillimisht babai i saj ishte kreu i kabinetit së komisionerit evropian për konkurrencën. Ajo ka jetuar në Bruksel deri në moshën 13 vjeç ndërsa në vitin 1971 familja u transferua në Hannover. Gjithashtu ajo është një pasardhëse e baronit Ludvig Knop, një tregtari pambuku një prej sipërmarrësve më të suksesshëm në perandorinë ruse në shekullin 19.

Ajo është martuar me një profesor mjekësie i cili vjen nga një familje aristokrate, e njohur për tregtinë e mëndafshit dhe disa aktivitete industriale. Ndërkohë që flet rrjedhshëm gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht.

Për sa i përket karrierës së saj politike, ngjitja e saj në skenë nisi me anëtarësimin në CDU në vitin 1990. Nisi të merrte pjesë aktivisht në politikë në vitin 1999, duke u bërë më pas pjesë e politikës vendore në vitin 2001 në Hanover.

U zgjodh në parlament në zgjedhjet e vitit 2003, po në këtë vit ajo bëhet pjesë e një grupi  të ngarkuar nga liderja e opozitës dhe presidente e CDU-së, Anxhela Merkel, që të punonte për një projektligj me propozime alternative për reformën e asistencës sociale si reagim ndaj axhendës të kancelarit Gerard Shrëder.

Për zgjedhjet federale të vitit 2005 Merkel zgjodhi pikërisht atë për ministrinë e familjes dhe të sigurisë sociale.

Në 60 vjetorin e themelimit të Izraelit, Von der Lejen merr pjesë në takimin e përbashkët të qeverisë së Gjermanisë dhe Izraelit në Jeruzalem në mars të vitit 2008. Ndërsa një vit më pas do të zgjidhet në Bundestag si përfaqësuese e distriktit të 42 të Hanover.

Në një intervistë për Der Shpigel në vitin 2011 ajo shprehej pro për Shtetet e Bashkuara të Evropës – përgjatë linjave të shteteve federale të Zvicrës, Gjermanisë apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me marrëveshje për çështje të rëndësishme financiare, fiskale dhe politikën ekonomike. Merkel nuk hezitoi për të përdorur të njëjtën deklaratë, të njëjtin vit të kulmit të krizës ekonomike greke.

Ndërsa në vitin 2015 ajo deklaroi se krijimi I një ushtrie të Bashkimit Evropian duhet të jetë një objektiv afatgjatë. Ajo shprehet e bindur për këtë objektiv duke thënë se ndoshta jo fëmijët e saj por nipërit dhe mbesat do të jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një tjetër moment i rëndësishëm i javës që lamë pas është dhe vizita e presidentit francez në Serbi, sidomos pas deklaratave kundër një zgjerimi të mëtejshëm të Bashkimit evropian me vendet e Ballkanit perëndimor.

Ai u prit me një ceremoni solemne në aeroportin “Nikolla Teslla” të Beogradit. I gjithë kryeqyteti u blindua. Mijëra policë, snajperë dhe masa të shumta sigurie nga ajri. Mbërritja e tij u shoqërua me të shtëna topi, në të njëjtën mënyrë me të cilën u prit dhe presidenti rus Vladimir Putin. Makron u prit nga homologu i tij serb, Aleksandër Vucic, i cili nuk fshehu gëzimin e tij.

Vizita ishte e rëndësishme për të konfirmuar çështje si Kosova dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Franca është rikthyer në Ballkan konsiderohet në Serbi. Takimi kokë më kokë mes dy krerëve të shtetit konfirmoi mbështetjen politike të Parisit. Në konferencën për presidenti Macron, foli i qetë duke falënderuar dhe kujtuar historinë.

Por, komentet e tij ishin të qarta, Franca është kundër zgjerimit pa reforma në Bashkimin evropian, e sidomos në Ballkanin Perëndimor. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë kompromis, theksoi ai duke shtuar se Franca do të angazhohet për një takim të ri.

Nuk kemi asnjë zgjidhje magjike në xhepin e Gjermanisë, SHBA apo Francës. Zgjidhja është në zemrat tuaja. Besoj tek stabiliteti i këtij rajoni dhe Evropa duhet t’ju mbështesë. Do të angazhohem pasi besoj tek e ardhmja e këtij rajoni dhe tek Evropa. Kemi folur hapur dhe guximshëm pasi kjo është një çështje e vështirë për vendin tuaj, historinë dhe të ardhmen. Ne nuk mund ta kthejmë historinë, por duhet gjetur kompromis. Do të gabonim nëse nuk kemi dialog. Franca është angazhuar për të gjetur një zgjidhje globale dhe të qëndrueshme”.

Vuçiç nga ana e tij u shpreh se e ka të qartë që janë dy procese paralele dhe se për Serbinë është e rëndësishme të arrijë pavarësisht BE-së.

E di që kemi dallime në qëndrime, por ky është takimi më i gjatë që kam patur unë dhe presidenti francez është ndër të pakëtit, që ndoshta krahas kancelares Merkel, dëgjon edhe qëndrimin tonë”.

Presidenti francez ishte i shoqëruar nga disa biznesmenë dhe investitorë francezë. Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve u firmosën 20 marrëveshje, nga ekonomia e deri tek furnizimi i ushtrisë. Miqësia franceze dhe serbe është ruajtur që prej Luftës së Parë Botërore. Në këtë frymë Macron vizitoi dhe obeliskun e miqësisë serbo-franceze, varrezat e heronjve dhe vende të tjera. Duke iu drejtuar qytetarëve serbë ai u foli dhe në gjuhën serbe duke thënë se edhe Franca e di borxhin që ka ndaj Serbisë./ABC News Albania 24/7