Trafiku i rënduar kryesisht në veri të vendit ka detyruar policinë rrugore të ndalojë lëvizjen e mjeteve të rëndë në Fushë Krujë -Thumanë. Në të njëjtën kohë policia shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë shtuar postblloqet në pikat më shqetësuese.
Në autostradën Thumanë-Fushë-Krujë por dhe zonat bregdetare do të bllokohet lëvizja për automjetet e tonazhit të rëndë nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22. Ky vendim u mor ketë të mërkurë.
Situata e rëndë në qarkullimin rrugor çoi në Shëngjin dy drejtuesit e parë të policisë rrugore, Shqipëri – Kosovë.
Për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve dhe dyndjen e pushuesve drejt plazheve policia shqiptare me atë të Kosovës po shtojnë patrullimet në pikat të cilat tashmë njihen si me shqetësuese.
Nënkolonel Jeton Rexhepi, ka thënë se edhe këtë vit Kosova mbështet policinë e Shqipërisë në mbikëqyrjen e trafikut rrugor sikur vitet e kaluara.
Në rrugën Fushë Krujë – Thumanë prej ditësh lëvizja është bërë e pamundur. Radhët e makinave kanë shkuar deri 8 kilometra dhe drejtuesit kanë pritur në trafik me orë të tëra./ABC News Albania 24/7