Me dhjetëra efektivë policie po verifikohen nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, pasi kanë parë të dhënat në sistemin TIMS, të ish-kolegut të tyre Santiago Malko, që u ekzekutua mbrëmjen e 27 Gushtit në zonën e Porcelanit në Tiranë.
Nga ky verifikim, i cili ka nisur me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, priten të preken një numër i lartë efektivësh. Ata dyshohen se kanë publikuar foton e Malkos në media dhe do hetohen për nxjerrje të sekretit hetimor.
Referuar ligjit, asnjë punonjës policie nuk mund të nxjerrë apo të kërkojë të dhëna nga sistemi TIMS, nëse nuk është i ngarkuar drejtpërdrejtë me hetimin e një çështje të caktuar.
Dyshimet janë se përveç fotos, janë publikuar edhe të dhëna sensitive që kanë cënuar figurën e viktimës./ABC News Albania 24/7