Ura e Kukësit/ Punimet drejt fundit, vendoset konstruksioni gjigand

schedule12:31 - 19 Mars, 2024

schedule 12:31 - 19 Mars, 2024

KUKËS- Ura e re e Kukësit është drejt përfundimit të saj. Inxhinieri Feti Gjici, në një intervistë për ABC News u shpreh se punimet janë në fazën e fundit dhe më pas ura do të vendoset në pilat e saj, të përcaktuara sipas projektit.

Ai tha se pjesët e strukturës prej çeliku të urës fillimisht janë montuar në tokë dhe pastaj është bërë spostimi i saj.

“Jemi në fazën e përfundimit të vendosjes në pilat e urës në fazën përfundimtare, te konstruksioni bazik. E veçanta e kësaj ure është projekti në tipologjinë e saj, është ndër më të mirat dhe ndër më të bukurat. E veçanta e zbatimit, është që për herë të parë zhvendosja e urës bëhet mbi vaska lundruese. Është montuar në tokë dhe pastaj është bërë spostimi. Proceset kanë qenë të vështira”, tha inxhinieri.

Më tej inxhinieri tregoi dhe llojin e materialit që është përdorur për ndërtimin e kësaj vepre inxhinierike.

“Është realizuar me një çelik special, prodhim i fundit amerikan që quhet korten, është mjafti i qëndrueshëm. Por edhe nga ana arkitektonike, sot në gjithë botën bëhet me këtë material. Ka pasur disa variante zgjedhjeje, por prania e liqenit e nivelit të lartë, u zgjodh më e leverdisshme edhe nga ana statike dhe ajo e punimeve. Kjo urë plotëson imazhet e bukura të qytetit”, tha ai.

Teksa shpjegoi detaje nga gjerësia e strukturës dhe gjatësia e harqeve inxhinieri u shpreh se kjo vepër infrastrukturore do të zgjidhë përfundimisht trafikun, i cili krijohej më parë në urën e vjetër mbi liqenin e Kukësit.

“Kjo është zgjidhje përfundimtare. Gjatësia e harkut është 270 metra, është urë më katër kalime dhe me trotuar. Janë parametrat e autostradës dhe eliminon të gjithë atë hinkën, që krijohej më parë në urën e vjetër”, tha ai.

Sipas inxhinierit, në muajin qershor kjo vepër do të jetë gati për qarkullimin e automjeteve.

“Janë procese që duhen çmontuar strukturat ndihmëse dhe duhet bërë ulja e urës, por parashikohet që në muajin qershor të përfundojë dhe të jetë e gatshme për trafikun veror, për lëvizjen në drejtim të Durrësit”, shtoi ai.

Kjo vepër është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo. Ura ka një gjatësi totale rreth 310 metra, ndërsa harku i saj është 270 metër. Gjatësia e urës është 56 metra dhe peshon rreth 5 mijë tonë. Ajo konsiderohet si më e madhja në rajon për tipologjinë e saj./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!