Ura e Ibrit ndan Osmanin nga Kurti/ Nazarko: Hapja e saj mund të krijojë rrethana për incidente dhe përplasje

schedule18:07 - 15 Gusht, 2024

schedule 18:07 - 15 Gusht, 2024

KOSOVË- I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se çdo vendim i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit duhet të ndërmerret pas konsultimeve me Brukselin Zyrtar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo çështje ka qenë temë kryesore në Kosovë, ndërsa ambasadori i SHBA, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se një hapje e Urës mund të çojë në lëndimin e ushtarëve të KFOR.

Por, cilat janë rrethanat që e kanë bindur Albin Kurtin se hapja e urës së Ibrit është një veprim i duhur në këto momente?

Analisti i njohur Mentor Nazarko, i ftuar në “News Line” në ABC News, u shpreh se arsyeja imediate e këtij qëndrimi të Albin Kurtit janë interesat elektorale.

“Çfarë ka ndodhur që e shtyn z.Kurti që të zgjedhë një veprim të tillë, që e çon në përplasja me perëndimoret. Arsyeja e parë më imediate mendoj janë zgjedhjet. Frymëzimi i Kurtit duket që është ngushtësisht elektoral”, tha ai.

Ai theksoi se çështja e hapjes së urës së Ibrit ka krijuar përplasje mes vetë institucioneve të Kosovës (presidencë-kryeministri), por dhe Bashkimit Evropian.

“Kemi një përplasje në pozicion shumë të qartë, midis institucioneve të Kosovës; kryeministrit, presidencës, partive politike, por edhe BE të përfaqësuar nga zëdhënësit dhe nga Lajçak. BE thotë se hapja ose jo e urës duhet të diskutohet në Bruksel, ndërsa Kosova thotë se nuk duhet të jetë pjesë diskutimeve”, tha ai.

Analisti theksoi se SHBA ia ka bërë të qarta arsyet e sigurisë se pse Kosova nuk duhet të bëjë në “kokën” e saj, sa i takon qasjes për hapjen e urës së Ibrit.

“SHBA i kanë bërë të qartë arsyet e sigurisë dhe këto janë çështje që duhen të bëhen temë diskutimesh në opinionin kosovar. Serbia nuk është duke reaguar në mënyrë kritike. Kjo është një nga ato gracka, që Serbia po përpiqet, që t’i ngrejë Kosovës dhe nuk është çudi që një hapje e Urës mund të hipotezohet se krijohen rrethanat për incidente dhe përplasje mes dy komuniteteve”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se thirrjet e SHBA për koordinim dhe bashkërendim veprimesh nuk janë kundër shtetit të Kosovës. Krahas kësaj, Osmani ka deklaruar se dialogu me Serbinë për urën e Ibrit është kundër kushtetutës dhe kundër sovranitetit të vendit.

Sipas Nazarkos, qasja që duhet të ndjekë Kosova është ajo që ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, e cila vazhdon të ruajë në mënyrë të vazhdueshme komunikimin me aleatin kryesor të pavarësisë së vendit, SHBA-në.

“Zgjidhja është ajo që propozon presidentja e Kosovës, e cila vazhdon të ruajë komunikimin me SHBA. Ajo është e vetmja që komunikon me ShBA dhe perëndimorët, megjithatë e teproi kur zgjodhi një gjuhë përplasjeje me BE. Ajo është mes dy zjarresh, ajo po përpiqet të tregojë unitetin e Kosovës dhe po përpiqen të përçojë në opinionin publik pozicionin e SHBA”, tha ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!