Universiteti i Kalifornisë do të paguajë 250 milionë dollarë për abuzimin seksual të gjinekologut

schedule04:59 - 9 Shkurt, 2022

schedule 04:59 - 9 Shkurt, 2022

Universiteti i Kalifornisë ka rënë dakord të paguajë rreth 250 milionë dollarë për mbi 200 gra që pretendojnë se janë sulmuar seksualisht nga një gjinekolog në kampus. Shumë gra akuzojnë universitetitin për fshehjen e qëllimshme të abuzimit seksual të pretenduar të James Heaps ndaj pacienteve. Zoti Heaps kishte punuar në qendrën shëndetësore të studentëve të Universitetit të Kalifornisë gjatë karrierës së tij 35 vjeçare midis 1983 dhe 2018.

Qindra gra, disa prej të cilave kishin kancer thanë se janë abuzuar prej tij. Universiteti nuk filloi hetimin e ankesave kundër zotit Heaps deri në vitin 2017. Universiteti është akuzuar në qindra procese gjyqësore për fshehje të qëllimshme të abuzimit seksual të dyshuar të pacienteve nga gjinekologu raporton “BBC”. Licenca e tij mjekësore u pezullua nga një gjyqtar në vitin 2019 për kohëzgjatjen e rastit të abuzimit seksual.

Universiteti tha se shpresonte se zgjidhja financiare do të ofronte “shërim dhe zgjidhje” për gratë e përfshira. Heaps përballet me 21 akuza penale për abuzim seksual ndaj shtatë grave dhe është deklaruar i pafajshëm. “Sjellja që supozohet se është kryer nga Heaps është e dënueshme dhe në kundërshtim me vlerat e Universitetit,” tha në një deklaratë Universiteti i Kalifornisë ditën e martë. “Detyrimi ynë i parë dhe më i lartë do të jetë gjithmonë ndaj komuniteteve, të cilave u shërbejmë dhe shpresojmë që kjo zgjidhje të jetë një hap drejt shërimit dhe mbylljes për paditëset e përfshira”.

Por Kara Cagle, një e mbijetuar e kancerit të gjirit, e cila raportoi zotin Heaps ndërsa po trajtohej në universitet, i tha “Los Angeles Times”: “Sot, pas tetë vitesh të gjata, mora njohjen e asaj që më ndodhi”. “Edhe pse ka një ngushëllim në këtë, zemra ime thyhet për të gjitha gratë që nuk u kursyen, të gjitha gratë që vuajtën pas meje, sepse Universiteti i Kalifornisë refuzoi të veprojë”. Marrëveshja e së martës nuk ndalon një proces gjyqësor në vazhdim nga më shumë se 300 paciente.

Korrikun e kaluar, një gjykatës federal miratoi një marrëveshje prej 73 milionë dollarësh kundër zotit Heaps, e cila u soll nga më shumë se 5,500 gra. Sipas avokatëve të çështjes, ai dikur ishte mjeku më i paguar në të gjithë sistemin e Universitetit të Kalifornisë. Leonard Levine, avokati penal i Heaps tha se klienti i tij mbeti i pafajshëm. Në paditë federale shkruhej se zoti Heaps nuk ishte hetuar siç duhet derisa universiteti mori një ankesë në 2017 dhe se ai u lejua të vazhdonte të shihte pacientë gjatë hetimit për veprimet e tij dhe madje edhe pasi universiteti i tha atij se kontrata e tij nuk do të rinovohej.  / abcnews.al