Manchester United ka zgjedhur Spanjën për të vazhduar përgatijet gjatë kësaj periudhe pushimi në Premier League. Moti i mirë dhe temperaturat e ngrohta janë kushtet optimale që një vend si Spanja t’i ofron.
Të besuarit e Solskjaer do të udhëtojnë ditën e nesërme drejt gadishullit Iberik, ku do të vazhdojnë stërvitjen. Por ka një problem, pasi sulmuesi, Odion Ighalo, nuk mund të udhëtojë me ekipin. Kjo për shkak se ai erdhi ditën e fundit të merkatos nga Kina dhe masat që ka marrë Britania nuk mund ta lejojnë që ai të rikthehet në Manchester.
Ighalo do të qëndrojë në ishull dhe do të ndjekë një programi intensiv. Edhe vetë klubi i United dhe trajneri Solskjaer e kanë konfirmuar se sulmuesi do të qëndrojë në shtëpi. “Ai nuk mund të vijë me ne. Kjo për shkak të masave që ka marrë shteti për qytetarët që kanë ardhur nga Kina në 14 ditët e fundit,” deklaron trajneri norvegjez. /abcnews.al