Me 29 nëntor 2010, bota e futbollit shijoi një ndër El Clasicot më të famshme në histori: Fitoren me ‘manita’ 5-0 të Barcelonës ndaj rivalëve të përjetshëm të Real Madrid. Shumë yje në fushë, por vëmendja ishte si gjithmonë te dueli Messi-Ronaldo.
Ky i fundit, përveçse ishte në skuadrën humbëse të një rezultati turpërues, u konfrontua dhe me sulmuesin spanjoll të katalanasve, Pedron. Tashmë lojtar i Chelsea, Pedro ka zbuluar se çfarë u tha në atë sherr masiv që plasi në minutat e fundit të ndeshjes, pasi Cristiano Ronaldo shtyu me duar trajnerin Guardiola.
“Iniesta ishte i pari që u konfrontua me Ronaldon, i kërkoi llogari për veprimin që bëri. Më pas, pashë të afrohej dhe Dani Alves dhe unë u bashkova. Cristiano ishte shumë i acaruar dhe më tha: ‘Po ti kush je?!’ Dhe unë iu përgjigja: ‘Unë jam kampion bote, ti kush je?’.
Pedro nuk është një futbollist që njihet për zënka dhe konfrontime në fushë, madje as me Cristiano Ronaldon nuk ka mbajtur inat. Në vitin 2013, sulmuesi spanjoll e mbrojti yllin portugez pas komenteve të Sepp Blatter, i cili tha se CR7 sillet si gjeneral në fushë. “Zot Blatter nuk duhet ta kishte bërë atë koment. Mendoj se ka gabuar”, pati thënë Pedro në vitin 2013./abcnews.al