Unaza e Re/ Meta reagon pas takimit që pati me banorët

schedule14:19 - 3 Shkurt, 2019

schedule 14:19 - 3 Shkurt, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti të dielën në presidencë një përfaqësi të banorëve të “Unazës së Re”, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Shkolla Teknologjike-Sheshi “Shqiponja”. Pas takimit, kryetari i shtetit ka kërkuar anullimin të projektit dhe nisjen nga e para e procedurave nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente.

Nuk marrin asnjë reagim nga kryeministri, por kanë presidentin që i pret në zyrën e tij. Banorët e Unazës së Re që protestojnë prej 3 muajsh, banesat dhe pronat e të cilëve preken nga projekti i segmentit rrugor “Mbikalimi i pallatit me shigjeta-Rrethrrotullimi i sheshit ‘Shqiponja” morën mbështetjen e kryetarit të shtetit.

Qëndrimin e tij zyrtar Presidenti Ilir Meta e detajoi me shkrim. Më datë 19 Nëntor 2018, presidenti me shkresë zyrtare i ka kërkuar informacion dhe të dhëna me shkrim drejtuesve të 10 institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre në lidhje me këtë projekt. 6 prej tyre nuk i kanë kthyer përgjigje ndonëse në këto 75 ditë presidenti ia ka dërguar më shumë se një herë kërkesën e tij. Ato janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, ALUIZNI, Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Brendshme dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

“Mosdhënia e informacionit ndaj Presidentit të Republikës, i cili është kërkuar në mënyrë të përsëritur prej Tij, forcon bindjen se, këtij projekti i ka munguar qëllimisht transparenca në çdo hallkë të procesit në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Shqipërisë”.

Nga gjithë informacioni që është administruar deri më tani, Presidenti i Republikës, ka arritur në bindjen se projekti për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, paraqet shkelje të shumta ligjore. Këtë e bazon në datat e publikuara për miratimin e projektit, tenderimit dhe shpalljes së fituesit.

“Në këtë mënyrë rezulton e provuar se procedurat e tenderimit për realizimin e investimit në këtë segment rrugor janë shpallur, zhvilluar dhe kanë përfunduar ndërkohë që projekti nuk ishte miratuar ende nga Këshilli Kombëtar i Territorit”.

Në qëndrimin e bërë publik të presidentit të republikës thuhet se hapja e procedurave të tenderimit, pa një vendim të autoritetit vendimarrës për miratimin ligjor të projektit Këshilli Kombëtar i Territorit, përveç se është shkelje e rëndë ligjore, krijon bindjen se ky proces ka qenë selektiv, i paracaktuar dhe në kushte ekstreme të kapërcimit me dashje direkte të procedurave të detyrueshme ligjore.

“Siç është faktuar publikisht konkurimi në të tre lotet ka qenë fiktiv. Në çdo lot kanë konkuruar dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar”.

Të nxituar dhe aspak objektiv e sheh kryetari i shtetit vendimin e qeverisë dhe ARRSH-së, për të rihapur procesin e tenderimit për realizimin e kësaj vepre. Kjo sepse sipas tij aktualisht organi i Prokurorisë është duke kryer hetime në këtë çështje dhe nga ky hetim mund të zbulohen fakte dhe rrethana të cilat mund të sjellin pasoja të drejtëpërdrejta që ndikojnë në mënyrën se si kjo vepër duhet realizuar.

Në përfundim Presidenti Ilir Meta kërkon zgjidhjen e menjëhershme të kësaj cështjeje. Ndër masat që duhet të merren sipas kryetarit të shtetit janë anullimi i menjëhershëm i Projektit për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, skualifikimi i operatorëve ekonomikë nga gara e dytë e hapur nga ARRSH,pas anullimit të plotë të projektit ekzistues të nisin procedurat me garë të hapur për të realizuar një Projekt të Ri, i cili do të duhet të ofrojë zgjidhjen më të mirë  teknike për zhvillimin urban të Tiranës. Për të mos qenë pesimist ndaj këtyre kërkesave, presidenti Ilir Meta shprehet i bindur se “Kur ka vullnet nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse, gjithmonë ka zgjidhje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!