Unaza e Madhe, Erebara: Të gjithë tenderat e ARRSH të dyshimta

schedule21:25 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 21:25 - 18 Dhjetor, 2018

Gazetari Gjergj Erebara, i ftuar në studion e “Provokacija, ka folur në lidhje me hetimet e BIRN për ndërtimin e Unazës së Madhe. Sipas tij të gjithë tenderat e ARRSH janë të dyshimta, pasi ka gjithmonë një pjesëmarrës dhe një fitues.

“Në të gjithë tenderat e ARRSH ka gjithmonë një pjesëmarrës dhe një fitues. Të gjithë tenderat e ARRSH janë të dyshimta. Ka të gjitha të drejtat ligjore ta ndryshojë dhe ribëjë tenderin në llogari të interesit publik dhe nuk ka ndodh asnjëherë”.

Me një përllogaritje të thjeshtë matematikore Erebara zbulon se të gjithë tenderat janë automatikisht të dyshimta, për shkak edhe të mostransparencës së kodit të çmimeve dhe volumit të punimeve.

“Në të gjitha vendet normale autoritetet kontraktore kanë një model matematikor sesa rrezik ka që tenderi të jetë i manipuluar dhe ky i bazuar në probabilitetin matematikor, kur ka një tender me vlerë 20 mln dhe rezulati më pak se 1% nga fondi limit atëherë është i dyshimtë. Në këtë rast kanë qenë 3 tendera me vlerë 40 mln euro. Të gjithë tenderat janë automatikisht të dyshimta. Në manualet e rrezikut të manipulimit të tenderit, në të dy rastet afrimësia me fondin limit tregon nëse ka marrëveshje të fshehtë.

Ka edhe dy elementë të tjerë të dyshimtë: mungesa e transparencës. ARRSH nuk ka bërë publike kodin e çmimeve që përdor për limit. Dhe së dyti nuk ka bërë publike volumin e punimeve.  Ne i bëmë kërkesë ARRSH dhe refuzoi”.

Erebara akuzon edhe Prokurorinë se po bën ç’është e mundur që të mos hetojë këtë çështje.

“Prokuroria ka të gjithë arsyet të bëjë vlerësim të kësaj situate. Mesa di unë po bëhet ç’është e mundur që të mos ketë hetim. Nuk është bllokuar skena e krimit që është Autoriteti Rrugor Shqiptar, vendi ku po kryhen punimet, nuk ka të dyshuar, nuk është formë hetimore kjo. Prokuroria po bën ç’është e mundur që të mos e hetojë këtë çështje”.

Duke shprehur hapur kundërshtinë e tij ndaj prishjes së ndërtimeve të shtëpive te Unaza e Madhe, Erebara bën apel për solidaritet njerëzor, ndërsa thekson se e gjithë procedura po bëhet mbrapsht.

“Ligji është i padrejtë dhe kur një njeri nxirret nga shtëpia e vet duhet të ketë një kompensim të drejtë, jo sipas ligjit. Kur ti ke një shtëpi 50m dhe e shemb duhet ti japësh një shtëpi 50m2. Kjo puna e ndërtimeve pa leje ka ndodhur para 30 vjetësh. Problemi është që në një shoqëri normale njerëzit kanë edhe solidaritet njerëzor.

E gjithë procedura bëhet mbrapsht së pari bëhet një studim fizibliteti, sa vlerë ka sa të mira publike, sa kosto do ketë, pastaj shpronësimet dhe në fund fare projektimi dhe zbatimi i projektit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!