Ulet numri i talasemikëve që heqin shpretkën në Lushnje

schedule12:37 - 1 Qershor, 2018

schedule 12:37 - 1 Qershor, 2018

Një lajm i mirë vjen nga Lushnja për të gjithë pacientët talasemikë. Mjekët e spitalit të Lushnjes thonë se ka një rritje të dhurimeve për gjak dhe pacientët nuk do të jenë të detyruar të heqin shpretkën. Pjesa më e madhe e tyre e kanë hequr këtë organ për shkak se nuk furnizoheshin rregullisht me gjak.

Shpresa Lleshi sot është 50 vjeçe. Si paciente talasemike ka hequr shpretkën vite më parë nga problemet e sëmundjes. Ajo ndodhet në spitalin e Lushnjes për të kryer transfuzionin e gjakut.  Mjekët hematologë pranojnë se heqja e shpretkës tek talasemikët vjen si rezultat i zmadhimit të këtij organi.

Këtë vit, nevojat për gjak kanë arritur të plotësohen nëpërmjet dhurimeve nga rrethet. Kjo ka sjellë edhe uljen e numrit të pacientëve që heqin shpretkën.

Vështirësitë e furnizimit me gjak janë reduktuar, ndaj shumë talasemikë jo vetëm i kanë shpëtuar procedurës së heqjes së shpretkës, por edhe është rritur jetëgjatësia e tyre. Në Lushnje janë të regjistruar 108 pacientë talasemikë që marrin gjak çdo muaj në këtë spital. Këtij numri i shtohen edhe 68 nga Fieri dhe 26 nga Berati dhe Elbasani./abcnews.al