Prej disa ditësh tashmë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ndodhet në SHBA ku po zhvillon takime me senatorë të Kongresit amerikan.
Në një bisedë me Ervin Kukelin në ABC, Mediu tregon se tema kryesore në këto takime është pushtimi rus në Ukrainë dhe pasojat që mund të ketë në vendet të tjera të Evropës, në veçanti në Ballkanin Perëndimor.
“…Duke u nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i Kongresit të administratës amerikane dhe të BE, për disa zhvillime në rajon, para dhe pas pushtimit, si partneriteti i shfaqur mes Serbisë dhe Rusisë në aspekte të ndryshme por edhe niveli i lartë i angazhimit të inteligjencës ruse në Ballkan.”
Kreu i Republikanëve theksoi po ashtu se fokus në takimet me senatorë amerikanë është edhe mënyra sesi mund te eliminohet ndikimi rus “për të krijuar një raport më të drejtë të Ballkanit Perëndimor për t’u afruar drejt organizatave euroatlatike.”
Fatmir Mediu ka komentuar gjithashtu edhe situatën aktuale në PD-në e përçarë. Sipas tij, e rëndësishme është që partia tashmë të jetë jashtë deklaratave ndarëse. /abcnews.al/