Autoritetet që menaxhojnë një nga plazhet më të njohura të Sardenjës kanë ndaluar çadrat për njerëzit e moshës 10 deri në 65 vjeç, duke përmendur shqetësime për sigurinë në rast emergjence.
Mbrojtja nga dielli dhe parandalimi i kancerit të lëkurës janë prioritet në shumicën e vendeve në botë, megjithatë për ata që duan ta vizitojnë plazhin Punta Molentis, në bregdetin jugor të ishullit italian, hija do të jetë e pakët këtë verë.
Vetëm familjet me fëmijë deri në moshën 10 vjeç dhe personat e moshës 65 vjeç e lart do të lejohen të sjellin një çadër, thanë zyrtarët. Të gjithë të tjerët janë të ndaluar të vendosin çadra dhe pajisje të tjera hijeje, raportoi CNN.
Masa, e cila është përballur me kritika të gjera, është një nga disa që zyrtarët po prezantojnë.
Nga 5 qershori deri në fund të tetorit, ata që qasen në plazh do të faturohen 10 euro.
“Është e ndaluar të instalohen çadra, tenda ose sisteme të tjera hijesh. Një çadër e madhe lejohet për familjen me fëmijë deri në 10 vjeç dhe personat 65 vjeç e më shumë”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Vendimi ka ngritur kritika nga pushuesit, të cilët me sarkazmë kanë pyetur nëse duhet të bëhen prindër vetëm që të mbrohen nga dielli.
Komuna ka deklaruar se nuk ka pasur zgjidhje tjetër pos të rregullojë shfrytëzimin e çadrave në mënyrë që të shmangen skenarë të vitit të kaluar ku dhjetëra pushues u deshtë të evakuohen me anije për shkak të një zjarri. Pjesë e problemit ishte edhe mbipopullimi i plazhit dhe sasia e madhe e çadrave, që e bënë të pamundshëm evakuimin nga toka.
Rregullat e plazheve në Itali shpesh kanë zemëruar njerëz.
Në vitet e fundit, plazhet në Sardenja e kanë bërë të paligjshme marrjen e rërës nga bregdeti, në të kundërt pason gjoba deri në 3,000 euro.
Në shumë komunitete bregdetare, plazhistët duhet të përdorin shtresa kashte në vend të peshqirëve për të shmangur marrjen aksidentale të rërës nga plazhi, që mund të ngec në fijet e materialit.
Për të shmangur mbipopullimin, shumë plazhe italiane po ashtu kanë kufizime kohore, ku njerëzit që arrijnë me anije janë të kufizuar në 90 minuta ose kërkojnë rezervime për një vend në rërë.



