Organizata nacionaliste ruse “Ujqit e Natës”, e njohur për lidhjet e saj me Kremlinin, është kthyer në një shqetësim serioz për Sllovakinë, një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së.
Qeveria në Sllovaki është e shqetësuar për shkak se “Ujqit e Natës”, grupi i motoçiklistëve nacionalistë i afërt me presidentin Vladimir Putin, ka ngritur një bazë në këtë vend dhe po zgjeron rrethin e tij të influencës. Baza e organizatës ndodhet në Dolna Krupa, një fshat rreth 70 km larg kryeqytetit Bratisllavë dhe në të ndodhen makina e pajisje të vjetra ushtarake. Anëtarët e grupit janë të sanksionuar nga institucionet amerikane, pasi akuzohen se u kanë ofruar ndihmë rebelëve pro-rusë në Ukrainë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme sllovake, Peter Susko ka deklaruar se aktivitetet e grupit duhen mbajtur nën mbikëqyrje. “Mendojmë se influenca e anëtarëve të kësaj bande është shumë e dëmshme, pasi me përhapjen e opinioneve të tyre ata synojnë të rishkruajnë historinë”, ka deklaruar Susko në një intervistë për BBC. I pyetur se cilat janë opinionet kontradiktore të bandës që mund të sjellin deformimet historike, zëdhënësi ka përmendur citimet e tyre se “Krimea ka qenë, është dhe do të jetë ruse, se Stalini ishte një hero i madh dhe se NATO është një organizatë kriminale”. Sllovakia është anëtare si e Bashkimit Europian ashtu dhe NATO-s. Dikur pjesë e Çekosllovakisë komuniste, ajo ka qenë aleate e Moskës gjatë Luftës së Ftohtë. Edhe në ditët e sotme, qeveria e saj e majtë kërkon të ruajë lidhjet me Rusinë dhe me shumë ngurrim ka mbështetur sanksionet e BE-së për shkak të aneksimit të Krimesë. /abcnews.al

