Uellsi është bërë kombi i parë që tërheq publikisht mbështetjen për përpjekjen e Gianni Infantinos për të vazhduar në krye të FIFA-s.
Vendimi vjen pas humbjes së besimit ndaj presidentit të FIFA-s, pas anulimit të planit të tij për të shitur aksione në garat e organizatës kompanive private të investimeve.
Shoqata e Futbollit të Uellsit (FAW) ka konfirmuar “tërheqjen e mbështetjes për kandidaturën e z. Gianni Infantino për rizgjedhje si president i FIFA-s për mandatin 2027-2031”.
Plani i Infantinos për të gjeneruar të ardhura shtesë shkaktoi reagime të forta në mbarë botën. UEFA madje kërcënoi se do të bojkotonte të gjitha garat e FIFA-s, përfshirë edhe Kupën e Botës.
UEFA dhe CONCACAF – konfederata që mbikëqyr futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe – publikuan të shtunën deklarata kritike ndaj drejtimit të organit qeverisës botëror, pasi Infantino vendosi të tërhiqte planin.
FAW deklaroi se “dështimet e fundit në qeverisjen e mirë, proceset, lidershipin, vlerat, menaxhimin e palëve të interesuara, komunikimin dhe gjykimin e shëndoshë na kanë çuar në një pikë ku z. Infantino ka humbur besimin e FAW për të qëndruar në krye të futbollit botëror”.
“Dështimi për të vendosur interesat më të mira të futbollit në radhë të parë është një dështim që nuk mund ta pranojmë”, përfundon deklarata e Shoqatës së Futbollit të Uellsit.


