Shpërthimi i koronavirusit ka shkaktuar një krizë ekonomike në botën e futbollit dhe klubet do i ndjejnë më vonë pasojat e mëdha. UEFA ka vendosur t’i ndihmojë sadopak. Komiteti ekzekutiv i qeverisë evropiane të futbollit ka vendosur të bëjë menjëherë pagesat kontribuese në lidhje me klubet që kanë dërguar lojtarë në kombëtare.
Pagesat që arrijnë shumën e 70 milion eurove dhe përfshijnë 676 skuadrat e 55 Federatave të UEFA-s, ishin parashikuar të kalonin pas përfundimit të ndeshjeve play-off të Nations League (Liga e Kombeve), por diçka e tillë do të ndodhë tani. 50 milion euro do t’u ndahen klubeve që kanë dërguar lojtarë në 39 kombëtaret që morën pjesë në fazën eliminatore. 17.7 milion euro do të ndahen mes klubeve që kanë dërguar futbollistë në 16 kombëtaret që do të përballen mes tyre në ndeshjet play-off.
2.7 milion euro shkojnë për lojtarët që do të marrin pjesë në duelet play-off të nëntorit, aty ku përfshihet edhe Kosova, që do të përballet me Maqedoninë e Veriut në fazën gjysmëfinale të Nation League. UEFA dhe ECA (Shoqata e Klubeve Evropiane) kanë një fond total prej 200 milion eurosh në dispozicion të klubeve të futbollit.
70 milion për ndeshjet e fazës eliminatore dhe Nations League, do të shpërndahen menjëherë, ndërsa 130 milion eurot e mbetura do t’u ndahen klubeve që dërgojnë lojtarë në kompeticionit evropian të verës së vitit 2021. Nga këto pagesa do të përfitojnë një numër shumë i madh i klubeve në të gjithë Evropën, që do t’i ndihmojë ata për të përballuar sadopak këtë krizë.
676 ekipe të 55 Federatave të lidhura me UEFA-n, do të marrin shuma që variojnë nga 3,200 deri në 630,000 euro për kontributin e tyre në kualifikueset evropianë dhe Nations League të UEFA-s. Partizani dhe Laçi janë dy skuadrat shqiptare që do të përfitojnë. Kampionët në fuqi kanë dërguar Lorenc Trashin dhe Alban Hoxhën në kombëtare, ndërsa bardhezinjtë ish-portierin Gentian Selmani. /abcnews.al