UEFA hap hetim disiplinor për sfidën Kroaci-Shqipëri, reagon Mirlind Daku: Të kërkosh falje është burrërore

schedule22:36 - 20 Qershor, 2024

schedule 22:36 - 20 Qershor, 2024

Ashtu siç pritej, pas denoncimit, të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, mbi ofendime racise, nga ana e “bomberit”, Mirlind Daku, UEFA ka bërë të ditur se ka hapur hetime për ngjarjet në tribuna dhe pas sfidës mes Kroacisë dhe Shqipërisë, që u luajt në Hamburg, ku siç pritej pjesë e hetimit do të jetë edhe festimi në fund të ndeshjes i sulmuesit.

Me anë të një njoftimi zyrtar, UEFA ka paralajmëruar se do të nisë hetimet disiplinore mbi këtë rast.

“Në përputhje me nenin 31(4) të Rregullores disiplinore të UEFA-s, një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s është caktuar sot për të kryer një hetim në lidhje me sjelljen e mundshme raciste dhe/ose diskriminuese nga mbështetësit që dyshohet se kanë ndodhur në kuadër të Kampionatit Europian 2024 në ndeshjen e fazës së grupeve ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit (HNS) dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë.

Informacione të mëtejshme në lidhje me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur.

Në lidhje me ndeshjen e fazës së grupeve të Kampionatit Europian 2024 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë, është hapur një hetim në lidhje me sjelljen e supozuar të papërshtatshme të lojtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), z. Mirlind Daku.

Informacione të mëtejshme në lidhje me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur”,- thuhej në njoftimin e UEFA.

Ndërkaq, i menjëhershëm pas këtij episodi ka qenë edhe reagimi i “bomberit”, Mirlind Daku, i cili me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në “Instagram” i cili ka kërkuar ndjesë për episodin e ndodhur në fund të sfidës me Kroacinë. /i.m /abcnews.al

Postimi i plotë i Mirlind Dakut:

Përshëndetje të gjithëve,

Fillimisht duhet të falenderoj, të gjithë ata që na kanë suportuar në momente të mira e të këqija, përgjatë rrugëtimit të Kombëtares, në Euro 2024.

Si çdo futbollist, në ato moment emocione janë të një tjetër niveli, ku vetëm nëse je pjesë e lojës mund t’i kuptosh. Është shumë e vështirë të përshkruash ndjesinë e të luajturit, për këtë Kombëtare për këta tifozë të mrekullueshëm, që na kanë dhuruar dashuri të pakufijshme, ashtu siç është edhe moto jonë, “Duam Shqipërinë pa kufinj”.

Kam ndjesinë se se kam ofenduar dikë pas ndeshjes me Kroacinë, megjithatë unë kam vazhduar të punoj bashkë me gjithë grupin për të ndjekur ëndrrën tonë.

Të kërkosh falje është burrërore dhe unë ndjej përgjegjësi morale e profesionale për të bërë diçka të tillë për të gjithë ata që kam lënduar.

Me respekt,
Mirlind Daku

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!