Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky sapo ka thënë se Rusia ka miratuar një ofensivë kundër Ukrainës. Ai tha se presidenti Vladimir Putin nuk i ishte përgjigjur ftesës së tij për të zhvilluar bisedime. Presidenti i Ukrainës Zelenksy tha gjithashtu se Rusia ka grumbulluar “gati 200,000 trupa në kufijtë e Ukrainës dhe mijëra automjete luftarake”.
Në një fjalim televiziv natën vonë, Zelensky foli dhe rusisht për t’iu “drejtuar qytetarëve rusë si qytetarë të Ukrainës” raporton “BBC”. “Na dëgjoni. Populli ukrainas dëshiron paqe. Autoritetet ukrainase duan paqe,” tha ai. Duke i’u referuar ushtarëve rusë të vendosur përgjatë kufijve të Ukrainës, Zelensky tha se udhëheqja në Moskë kishte miratuar “hapin e tyre përpara”.
“Në territorin e një vendi tjetër. Dhe ky hap mund të jetë fillimi i një lufte të madhe në kontinentin evropian,” shtoi ai. Zelensky gjithashtu hodhi poshtë sugjerimet e zyrtarëve rusë se ai do të jepte një urdhër për të filluar një ofensivë në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës. / abcnews.al