U vetëdorëzua dje, Gjykata lë në burg Alqi Bllakon, akuzat për korrupsion me inceneratorin e Fierit

schedule12:40 - 2 Prill, 2022

schedule 12:40 - 2 Prill, 2022

GJKKO ka lënë në burg ish-deputetin Alqi Bllako, i cili u arrestua një ditë më parë për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit.

Bllako shkoi në drejtorinë e  Tiranës rreth orës 3 të mëngjesit të djeshëm. Ishte i vetëm, i pa shoqëruar nga familjarët apo avokati i tij mbrojtës. 40 minuta më vonë mbërritën në policinë e Tiranës agjentët e BKH-së, të cilët e morën në pyetje mbi akuzat korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorin e Fierit.

Dorëzimi i Bllakos u krye 12 orë pas urdhërit të gjykatës për ta arrestuar. Policia thotë se Alqi Bllako u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme. Ndërsa SPAK njoftoi se vendimi i gjykatës së posaçme që u mor dje në orën 15:45, u ekzekutua nga policia në orën 3:30 të mëngjesit të djeshëm. SPAK i ka kërkuar policisë së shtetit më datë 30 mars të mbajë nën mbikëqyrjen Alqi Bllakon që ai të mos dilte jashtë territorit.

Ish-deputeti socialist akuzohet  për shpërdorim detyre dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit. Bllako bëhet zyrtari i dytë që arrestohet lidhur me aferën e inceneratorëve pas Lefter Kokës.

Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në  lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh. Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.

Avokati Sokol Hazizaj i ka kundërshtuar këto akuza në përfundim të seancës duke e quajtur vendimin të padrejtë.

Më tepër është jo ligjore dhe jo e drejtë, la në fuqi këtë lloj vendimi që për në është tërësisht dhe haptazi jo vetëm në mungesë të respektit dhe lirisë të Alqi Bllakos, por edhe në mungesë të dijenisë që ka kjo gjykatë dhe organi procedural i hetimit për Kodin e Procedurës Administrative”, tha Hazizaj.

Ai goditi SPAK duket thënë se është në pamundësi për të bërë një analizim dhe se nuk është Bllako ai që ka firmosur faturat: Tre faktet penale për të cilat ka identifikuar organi procedural i hetimit, që lidhet me shpronësimin e tokës, janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako, dakord? Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako. Bllako në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm ka përcjellë vetëm dokumentacionin për shkak të akteve që dalin nga këshilli i ministrave”.

I pyetur për udhëtimin me Klodian Zoton, Hazizaj tha se nuk ka prova. “Nuk është provë bindëse sa kohë nuk është provuar që bileta është paguar nga Zoto, etj”, tha ai duke shtuar se klienti i tij ka qenë në të njëjtën linjë me të”.

Akuzat ndaj Bllakos

Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste me dyshimin se ka marrë në formë ryshfeti 150 milionë lekë për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Sipas hetimeve këtë shumë parash, deputetit socialist e ka marrë nga kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. duke paguar fiktivishit babain e tij Edmond Bllako, që rezulton i punësuar në Inceneratorin e Tiranës. SPAK akuzon gjithashtu Bllakon se ka falsifikuar dokumentet për inceneratorin e Fierit në kohën kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit në bashkëpunim me ish-ministrin, Lefter Koka dhe kryetarin e komisionit të shpronësimeve Pëllumb Abeshi. Rezulton se ata kanë ndryshuar destinacionin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori nga tokë arë në tokë truall duke I shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë.”

Bllako i pyetur nga komisioni hetimor, i cilësoi akuzat si baltosjes ndaj tij dhe familjes. SPAK i ka sekuestruar babait të Alqi Bllakos një apartament në Tiranë me vlerë 144 mijë euro kurse pronat e sekuestruar Kokës shkojnë në vlerën rreth 146 milionë lekë. Sipas prokurorisë në ndërtimin e inceneratorit të Fierit i përfshirë rezulton edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Dhe për këtë incenerator është ndjekur e njëjta skemë me atë të Elbasanit.

be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!