Përfaqësuesja e qeverisë ka shtruar argumentet e saj ligjore në gjykatën kushtetuese mbi argumentin pse Këshilli i Ministrave ka firmosur shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak të Tiranës.
“Ankimuesi pretendon se shkarkimi i tij nga detyra ka ndodhur për shkak të shkeljes së rendit të Kushtetutës ose të ligjeve, siç parashikon neni 115 i Kushtetutës, e cila është e vetmja mënyrë që ai të legjitimohet përpara kësaj gjykate. Ndërkohë që shkarkimi i tij nuk është kryer për shkak të kësaj dispozite. Ai nuk është shkarkuar për rrethanë kushtetuese, por ligjore, për shkak se nuk është paraqitur në detyrën e parashikuar nga neni 62 për vetëqeverisjen vendore.
Një subjekt i shkarkuar nga Qeveria, duhet t’i drejtohet gjykatave të juridiksionit të zakonshëm dhe jo Kushtetueses. Në kushtet kur mungon kompetenca për çështjen, Gjykata nuk mund ta shqyrtojë. Konstatimi i mungesës 3 mujore është kompetencë e Këshillit Bashkiak. Kjo nuk kërkon një hetim administrativ të thelluar. Këshilli i Ministrave me vendimin e tij deklaron shkarkimin e kryetarit duke u bazuar në konstatimin e kryer nga Këshilli Bashkiak dhe propozimin e paraqitur prej tij.
Në rastin konkret, mund të shtojmë edhe faktin se mungesa e kërkuesit përtej afatit tre mujor është një fakt i njohur botërisht. Për pretendimet për cënimin e të drejtës për tu dëgjuar dhe për tu mbrojtur, ka pasur dijeni për nismën për shkarkimin e tij,” tha ajo./abcnews.al

