U shemb nga tërmeti, afatet për ndërtimin e Spitalit të Laçit janë tejkaluar me 3 muaj

schedule14:40 - 22 Shtator, 2021

schedule 14:40 - 22 Shtator, 2021

Mijëra banorë të Bashkisë së Kurbinit pas shembjes të spitalit të Laçit nga tërmeti i nëntorit të 2019 sorollaten nga Lezha në Tiranë. Themelet për ndërtimin e spitalit të ri hodhën në muajin shkurt. Godina duhet të kishte përfunduar 4 muaj më pas. Po siç duket dhe nga pamjet spitali nuk është gati.

“Duhet të fillonte në shkurt e të mbaronte në qershor për 4 muaj siç thotë dhe tabela hyrëse, po nuk është zbatuar, banorë presin. 70 mijë banorë të Kurbint sillen vërdallë nga spitalet e Tiranës dhe në atë të Lezhës.”

Banorët që shërbimin spitalor duhet ta marrin sa më afër qendrës së banimit kërkojnë përshpejtim të punimeve.

“S’kanë punuar fare spitali duhet të ishte bërë, njerëzit duhet të kenë spitalin e vetë. Spitali duhet të ishte i pari më pas të bënin ndërtesa të tjera. Shëndeti është mbi të gjitha.”

“Më keq nuk ka ku shkon më. As nuk po punohet do flas drejt, se u bënë dy vjet edhe po ta bënin me mjete primitive do e kishin mbaruar.”

Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e këtij spitali me një vlerë rreth 349 milionë lekë me TVSH ka kontraktuar kompaninë “Consorzio Ciro Menotti”.

Në Laç pas shembjes të spitalit ofrohet vetëm shërbimi i urgjencës. Një fondacion fetar ka ofruar një nga ambientet e tij, por kushtet nuk janë aspak të përshtatshme për të pritur pacientë me sëmundje të ndryshme apo dhe ata me Covid. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!