Arrest në burg ka qenë vendimi i sapo marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër në ngarkim të Vadym Tryfonony, shtetasit ukrainas, i cili dy ditë më parë, teksa ishte duke udhëtuar me xhipin e tij “Mercedes-Benz”, u përplas me një xhip “Range Rover” në kthesën e Luftinjës në aksin nacional Memaliaj-Mallakastër, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije 7-vjeçar që ndodhej në bordin e Range Rover-it që drejtohej nga i ati i tij, Blerim Dulaj.
Prokurorja e çështjes, Aulona Haxhiraj, ka dhënë detaje nga aksidenti, bazuar në ekspertimin e grupit hetimor, ku fajtor është bërë shtetasi ukrainas, i cili ka konsumuar veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Pas kësaj, gjyqtarja Entela Selmanaj ka dhënë masën e arrestit burg pa afat. Seanca gjyqësore është zhvilluar në Pavionin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku ndodhet i shtruar me fraktura të shumta në gjymtyrë turisti i arrestuar ukrainas, i cili kishte ardhur në Shqipëri për pushime, pasi kishte prenotuar dhomë për 7 ditë në Ksamil./abcnews.al

