“Reforma në drejtësi ka dështuar, ajo ndodhet në vdekje klinike”, kështu është shprehur analisti Skënder Minxhozi gjatë një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC Neës, ndërsa komentoi reformën në drejtësi.
Minxhozi është shprehur kritik, duke thënë se tashmë dosjet e prapambetura në sistemin gjyqësor kanë kaluar 200 mijë, institucionet e reformes nuk po e kryejne funksionin e tyre dhe se dukshëm ka ardhur koha për ndryshime të aparatit ligjor të reformës.
“Kur thashë që ka ardhur koha për disa ndryshime mendoj se ky proces duhet të ketë një reflektim më të thellë sesa ai që po bëhet këto orë dhe që prek vetëm çeshtjen Balluku. KED është në gjumë, ILD nuk heton as dosjet për të cilat ka pasur vendime të Gjykatës së Strasburgut që i ka hedhur poshtë. KLP dhe KLGJ kanë ende vakanca gjyqtarësh dhe prokurorësh që nuk i plotësojnë duke lënë një boshllëk të frikshëm në të gjithë sistemin. Gjykata Kushtetuese shumë e nderuar që dikur hidhte “tuç” Sali Berishën me Karamanlisin për detin, sot është kjo që është dhe që të dhimbset me situatën që kalon. Mali i dosjeve të pagjykuara ka kaluar 200 mijë. Pra çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që u nisëm për të vënë vetullat dhe kemi nxjerrë sytë”, tha mes të tjerash ai.
“Në Shqipëri nuk ka de facto proces gjyqësor, tha Minxhozi. Unë jam i bindur që, nëse në një sallë gjyqi nuk është arbitër gjyqtari, por prokurori që mund të përgjojë e hetojë gjithkënd, vetë procesi ka vdekur”, u shpreh ai.
Gjithashtu, ai theksoi se drejtësia e re ka treguar një dëshirë protagonizmi që dukeet se e ka shtyrë edhe tek pezullimi i zv.kryeministristres Balluku. “Unë mendoj se në këtë rast kemi të bëjmë me përplasje të një dëshirë për mosveprim nga ana e qeverisë, në lidhje me një numër problemesh që kanë dalë natyrshëm nga reforma, dhe nga ana tjetër nga një dëshirë për protagonizëm e vetë organeve speciale të reformës. Rama ka hezituar të bëjë kryeministrin, por ka preferuar të bëjë blogerin, kurse SPAK ka menduar të marrë një rol publik dhe mediatik që e ka shtyrë të bëjë një faull duke hyrë në kompetencat e ekzekutivit.


