Kompozitori i njohur shqiptar, Thoma Simaku është kthyer pas në kohë dhe ka ndarë një rrëfim tepër emocionues në emisionin “Pas Mesnate”. I emocionuar, ai ka kujtuar momentin kur u largua nga Shqipëri dhe në vitin 1991 fitoi një bursë në një nder universitetet më të mira të Anglisë.
Simaku tregoi se në fillim nuk e dinte mirë gjuhën angleze dhe fliste frengjisht, por që gjithçka shkoi mirë.
Ai e ka konsideruar një nder ftesën që mori për të qendruar në Angli dhe që i ndryshoi totalisht rrjedhën e karrierës.
“Unë bëra një vizitë në Itali në nëntor të vitit 1990 dhe aty vajta në Konservatorin e Bolonjës, ku takova një kompozitor që jepte mësim dhe në Konservatorin e Milanos dhe aty. Edhe bëra një prezantim të muzikës që kisha bërë dhe duke vazhduar me të, ai tha patjetër, do të ishte kënaqësi që ti të vije dhe studioje në Bolonjë. Edhe unë mora një ftesë nga një shtëpi botuese në Angli, të cilët kishin botuar një pjesë për klarinet dhe piano, edhe ideja ishte që unë të shkoja mbas 6 muajsh të shkoja në Bolonjë. Por atje në Angli më thanë, dëgjo Bolonja është Bolonja, por dhe ne nuk jemi keq. Aty ku jetoja unë në Jork, më thanë që universiteti i Jorkut është nga më të njohurit për degën e kompozicionit në Angli. Edhe unë kur shkova në Angli, anglishtja ime ishte vetëm dymuajshe, dhe në fillim fola vetëm frengjisht”, tregoi Simaku./abcnews.al