Muzikanti Jusuf Beshiri i ka prekur të gjithë me rrëfimin e tij në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News. Ndër të tjera, ai është ndalur te momenti kur u largua nga Shqipëria me anijen e parë në 6 mars 1991 për në Itali.
Beshiri i emocionuar ka kujtuar 9 orët e ankthit, nga çasti kur hipi në anije dhe deri te mbërritja në Itali, ku gjithë jeta e tij ndryshoi.
“Erdhi 6 marsi dhe rastësisht marrë vesh që po niseshin anijet. Lajmërova familjen dhe mora direkt autobusin deri në Lushnje dhe më pas shkova në Durrës. Hipa te anijet e para që u nisën për në Itali, kishte 7 mijë veta brenda, diku 6500. Etje për liri. Familja nuk dinte gjë fare që unë u nisa se nuk kishte telefona. Kisha frikë, sepse ishte një gjë që ishte jashtë meje. Por fati deshi që familjen Libohova dhe gjithë ministrat e asaj kohe të viteve ‘40, t’i gjeja në atë anije, ishte i gjithë fisi im. Rastësia… të gjithë udhëtonin për andej. Njëri kishte ardhur nga njëra anë, tjetri nga ana tjetër, ishin të dëbuar në Kavajë dhe kur shoh një pjesë të kushërinjve atje, Mirakajt 45 vjet të internuar në Savër, i gjeta aty dhe u ngroha pak. Ndejtëm bashkë muajt e parë. Udhëtimi ishte i vështirë. Unë kam hyrë në orën 4 pasdite në anije, trauma ka qene shumë e madhe, sa unë nuk e mbaj mend si kam hyrë, e kam të fshirë këtë pikë. Ushtarët qëllonin në ajër. Unë thash nëse qëllojnë mbi ne, po kthehem mbrapsht. Jo, tha. Më kërkoi xhupin. Nuk ia dhash se ishte dimër dhe i dhash një stilolaps. U futa në port dhe jemi nisur në 6 të mëngjesit. Kemi qendruar ngjitur me orë të tëra. Në një moment vjen daja im, për të marrë mua dhe nuk e di nga e kishte marrë vesh, por ngeci vetë ai dhe erdhi me ne. U nisëm në 6 të mëngjesit dhe anija ishte plot. Kemi arritur në 9 të darkës dhe udhëtimi ka qenë shumë i vështirë, pasi anija ecte shumë ngadalë sepse ishte plot. Ecte ngadalë. Për fat nuk ra shi. Sa arrita në Itali, mua më eci çdo gjë vaj. Iku ferri, doli drita”, tregoi muzikanti./abcnews.al