U lanë nudo në shatërvan, policia në kërkim të tyre

schedule22:51 - 22 Gusht, 2018

schedule 22:51 - 22 Gusht, 2018

Policia italiane është vënë në kërkim të dy turistëve që kanë shkelur rëndë ligjin. Dy të rinjtë akuzohen për fyerje të popullit dhe historisë së Italisë, pasi janë larë të zhveshur në monumentin Altari i Atdheut.

Banorët e Romës dhe mbarë Italisë kanë mbetur të irrituar nga marrëzitë e dy turistëve anglishtfolës, që kanë hyrë të lahen në një shatërvan monumental të qytetit të përjetshëm. Dy të rinjtë janë filmuar teksa hyjnë e lahen në shatërvanin e sheshit Venecia vetëm me të brendshme dhe në shaka e sipër, njëri prej tyre zhvishet tërësisht.

Qytetarët e kanë konsideruar aktin e tyre si një sjellje injorante, ndërsa zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka deklaruar se Italia nuk është tualeti personal i turistëve.

Përveç veprimit të dy të rinjve, italianët kanë mbetur të lënduar edhe për faktin se shatërvani ndodhet në monumentin Altari i Atdheut, i ngritur në nder të mbretit të parë të Italisë pas unifikimit të vendit. Gjithashtu, monumenti mban Varrin e Ushtarit të Panjohur, në përkujtim të ushtarëve të rënë.

Policia e Romës ka deklaruar se është vënë në kërkim të turistëve, për shkelje të ligjit dhe fyerje. Ndërsa nënkryetari i bashkisë, Luca Bergamo ka thënë se dënon sjelljen e të rinjve, e cila sipas tij fyen të gjithë italianët, historinë e vendit, të rënët dhe ata të cilëve u dedikohet monumenti.

“Sapo të arrestohen nga policia, ata do të marrin ndëshkimin më të rëndë”, ka thënë Bergamo./abcnews.al