U la jashtë listës së sigurt, Fatmir Xhafaj tregon pse e pranoi pozicionin që i caktoi Rama

schedule19:04 - 9 Mars, 2021

schedule 19:04 - 9 Mars, 2021

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka reaguar pas zyrtarizimit të listave të kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet e 25 Prillit. Xhafaj tregon se pse e ka pranuar sfidën për pozicionimin përtej kufirit të sigurisë së listës, i 23-ti në Tiranë, duke e cilësuar atë si detyrë ndaj qytetarëve.

Ai thotë se të gjitha betejat për fuqizimin e shtetit të së drejtës duke u ndalur te Reforma në Drejtësi, gjenden në një moment përcaktues që duhet të mbyllen ose në të kundërt do përfundojmë në humnerë të pafundme. Xhafaj deklaron se duhen shtuar forcat për ta çuar para me vendosmëri luftën e nisur si detyrim ndaj qytetarëve që e meritojnë drejtësinë e re, barazinë para ligjit dhe të ardhme më të mirë për të rinjtë dhe të rejat.

“Gjatë karrierës politike e kam ndjerë veten çdo çast në fushatë elektorale përballë syve të qytetarëve. Andaj, kurrë s’e kam vendosur në dyshim mbështetjen e besnikërinë e çdokujt që çmon sakrificat e mia në politikë në emër të ndërtimit të një shteti serioz e të konsoliduar.

E pranova sfidën për pozicionimin përtej kufirit të sigurisë së listës, si një detyrë e parevokueshme që kam ndaj qytetarëve & si një parim që kam në vetvete për të mos lënë në mes asnjë luftë, e sidomos atë më kryesoren që shënjon karrierën time politike, REFORMA NË DREJTËSI.

Të gjitha betejat tona për fuqizimin e shtetit të së drejtës gjenden në një moment përcaktues: Ose do të përmbyllim së bashku të gjithë atë çka kemi nisur me aq mund e sakrifica … Ose do të përfundojmë në mënyrë të pashmangshme në humnerën e pafundme të atyre që përpara se të prezantohen si alternativë, fillimisht kanë nevojë të çlirohen nga padrejtësia, pandershmëria dhe korrupsioni moral.

Ndaj lipset që bashkërisht të shtojmë të gjitha forcat për ta çuar me vendosmëri përpara luftën tonë si detyrim kyç ndaj qytetarëve që meritojnë drejtësinë e re, barazinë para ligjit, ndëshkim të korrupsionit dhe të ardhme më të mirë për fëmijët, të rinjtë e të rejat.

Me bindje dhe me mbështetjen e të gjithë atyre që besojnë tek unë, do vijoj më tej punën me forcë e kurajo të plotë. Çdo energji do ta shpenzoj për borxhin e pashlyeshëm të besimit që kam marrë nga çdo socialist dhe qytetar të ndershëm që s’ma ka kursyer kurrë mbështetjen edhe në ditët më të vështira.”, shkruan Xhafaj./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!