Të tre të arrestuarit, dy shqiptarë dhe një kroat për sekuestrimin e 324 kilogramë kokainë të pastër, e cila u konfiskua gjatë një operacioni policor, në qendër të Selanikut të premten, u lanë nga gjykata në burg pa afat.
Ata dolën sot para gjykatës, ndërsa mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit kur futen në gjykatë. Ndërkohë që në kërkim është një 33 vjeçar nga Kroacia, i cili arriti të shpëtojë duke u hedhur nga ballkoni i banesës.
Operacioni policor u krye pas informacionit nga DEA për mbërritjen në Evropë të një kontenieri me një sasi të madhe kokainë, me shumë gjasa nga Amerika Latine.
Ngarkesa dyshohet se ishte marrë nga dy kroatët dhe ishte destinuar të dorëzohej dhe trafikohej nga dy të tjerët, shqiptarët që për këtë arsye mbërritën në Selanik. Droga me vlerë 100 mln euro kishte destinacion tregun grek, ishujt.
Dy trafikantët nga Shqipëria mohuan çdo përfshirje në çështje. Ata deklaruan se kanë një hotel në Rodos dhe udhëtuan në Selanik për të blerë pajisje për biznesin e tyre. Përkundrazi, kroati pranoi një pjesë të akuzave.
U sekuestruan nga operacioni;
(324) kg kokainë e pastër e ndarë në (260) pako
(5,265) euro dhe valutë të huaj
(5) celularë që përdorën për komunikimet e tyre
Laptopë
/ db/Abcnews.al