U gjet në bunker në Tiranë, 36 vjeçari vdiq nga mbidoza: Arrestohet shoku që e braktisi në lëndinë, të nesërmen i fshehu trupin

schedule16:33 - 21 Prill, 2022

schedule 16:33 - 21 Prill, 2022

Detaje të reja dalin nga vdekja e Ilir Markut, 36-vjeçarit që u gjet i pajetë në një bunker në zonën e Institutit në Tiranë. Mësohet se është arrestuar Mariglen Isufi, 28 vjeç, i cili akuzohet nga policia për veprën penale “fshehje të kufomës”.

Ditën e ngjarjes, bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, në një lëndinë me bar, ndërsa kanë konsumuar lëndë narkotike. Nga mbidoza, Marku ka humbur ndjenjat. Menjëherë pas ngjarjes, Mariglen Isufi është larguar për në banesë, duke e lënë mikun e tij të vetëm. Mëngjesin tjetër ka shkuar sërish tek i njëjti vend ku e ka gjetur Ilir Markun të vdekur.

Lexo edhe: EMRI/ Kush është 36-vjeçari që u gjet i pajetë në bunker në Tiranë, rezulton përdorues i lëndëve narkotike

Trupin e pajetë të 36-vjeçarit e ka tërhequr zvarrë për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona. Pas dyshimeve se Marku konsumonte lëndë narkotike, policia intensifikoi kërkimet, ndërsa ra në gjurmët e viktimës. Pas veprimeve operative u identifikua edhe Mariglen Isufi, i cili pas arrestimit u tha hetuesve se nuk bëri denoncim në polici pasi kishte pasur frikë. Marku është gjetur i vdekur një ditë më parë në bunkerin që ndodhet pranë Institutit Bujqësor.

Njoftimi i policisë:

Fshehu në një bunker trupin e shokut që kishte ndërruar jetë duke penguar zbulimin e të vërtetës, vihet në pranga 29-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: – M. I., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e dë vërtetës”.

Sipas veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi M. I., është lidhje shoqërore me shtetasin I. M., 36 vjeç, i cili u gjet ditën e djeshme, në një bunker, pa shenja jete dhe pa shenja dhune. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, më datë 17.04.2022, kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike, dhe shtetasi I. M., ka gjetur vdekjen, ndërsa shtetasi M. I., ka transportuar trupin e të ndjerit në bunker, duke kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!