Produkt i Shkëndijës së Tiranës, debutim me Laçin në Superiore dhe tani titullar me Lokomotiva Zagreb. Jon Mersinaj, mbrojtësi qendror, ka tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit të kombëtares, Edoardo Reja, i cili kishte menduar ta ftonte për miqësore e marsit, që u anuluan.
Keqardhja është e madhe dhe Mersinaj e ka shprehur në një lidhje direkt me emisionin “Fan Zone” në Supersport. “Të gjithë e presim ftesën e Kombëtares, është një ëndërr dhe unë kisha marrë për miqësoret e marsit. Më vjen keq, pasi virusi ndaloi gjithçka. Shpresoj që të më ftojnë sërish”, tha fillimisht mbrojtësi.
Mersinaj e pranon që eksperienca te Laçi sezonin e shkuar e ka ndihmuar shumë. “Te Laçi kam kaluar një eksperiencë shumë të mirë. Mora minuta dhe eksperiencë. Falë saj jam këtu tani”. Në të shkuarën ai ka qenë pjesë e Tiranës U17, por nuk e përjashton si opsion kalimin te Partizani. “Pse jo te Partizani, duhet të punoj shumë dhe më pas le të shikojmë se çfarë do të ndodhë”, shtoi Mersinaj.
Mbrojtësi u pyet në lidhje me faktin që në kombëtare ftohesh kur luan jashtë vendit. “Nuk mendoj se fakti që luaj jashtë më bën të marr ftesë nga Reja. Mendoj se Reja i beson lojtarëve të rinj dhe për këtë më dërgoi ftesë”, u shpreh 21-vjeçari i skuadrës kroate, që synon pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe i ka të gjitha shanset.
Mersinaj, një milanist i thekur, dëshirën e ka të luajë në Gjermani, ose edhe në Serie A. Mes të tjerash ai foli edhe për kampionatin shqiptar, në raport me atë në Kroaci.“Kampionati shqiptar ka më shumë rivalitet dhe ekipet janë të barabarta. Nuk ka shumë diferenca me kampionatin kroat”, përfundoi Mersinaj, i cili në fund u shënoi një “kroatëve”, duke u shprehur se Shqipëria i ka femrat më të bukura. /abcnews.al